Java e kaluar ishte mjaftë aktive për Gjykatën Speciale në Kosovë.
Ajo mori disa aksione, ku bastisi shtëpinë e ish-komandantit të përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimit, më pas i ‘doli punë’ edhe me Sami Lushtakun.
Nënkryetari i Komunës së Skenderajt dhe kryetari i Degës së PDK-së në këtë komunë, Sami Lushtaku, ishte ftuar në zyrat e EULEX-it në Fushë Kosovë, ku qëndroi për rreth një orë aty.
Lushtakut i është konfiskuar telefoni nga Specialja. Konfiskim të telefonit kishte edhe për ish-ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuqin.
Në lidhje me këto aksione të Speciale, ka folur analisti politik Gani Qarri.
Ai flet për pengimin e drejtësië dhe frikësimin e dëshmitarëve, si dhe arrestimin e Isni Kilajt dhe Haxhi Shalës.
“Siç dihet nga e kaluara jo fort e largët, për shkak të informatave të vërtetuara që Gjykata Speciale kishte siguruar se në periudhën e saktësuar midis 5 dhe 12 prill të vitit 2023, një grup personash të paautorizuar, kishin ndërmarrë një aksion, të koordinuar për kërcënimin e dëshmitarëve, me 5 tetor të vitit të kaluar në bazë të një urdhërarresti nga Dhomat e Specializuara, janë arrestuar Ismet Bahtjari dhe Sabit Januzi, nën dyshimet e bazuara për krime kundër drejtësisë dhe frikësimin e dëshmitarëve, duke kanosur një dëshmitar të paidentifikuar, për tërheqjen e dëshmisë apo mosdhënjen e dëshmive, gjatë procedurave penale etj. Nën akuzën për pengim të drejtësisë, përpjekjeve për pengim të personave të autorizuar në kryerjen e detyrave zyrtare, dhe kanosjen e tyre gjatë procedimit penal, me urdhër të Prokurorisë Speciale në Hagë, më 3 nëntor 2023 është arrestuar edhe ish-kryetari i komunës së Malishevës, Isni Kilaj, kurse ish deputeti i AAK-së, Haxhi Shala u arrestua në dhjetor të po ati viti, ndaj të cilit, po ashtu, është ngritur aktakuzë për shantazhim dhe kërcënim të dëshmitarëve, i cili madje njërit nga dëshmitarët, përflitej se i kishte premtuar edhe një shumë marramendëse të hollash prej 200 mijë eurove, për mosdhënien apo ndryshimin e deklaratës”, thotë Qarri.
Analisti tregon se, njëkohësisht me arrestimin e Haxhi Shalës, prokuroria Speciale ka kryer bastisje edhe në shtëpitë e ish-këshilltarëve të Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Artan Behramit dhe Ismail Sylës.
“Kjo paralajmëron se arrestimeve të radhës, në çdo kohë, sikur u kanë parapri bastisjet, njëjtë siç ndodhi edhe me 7 mars, ndaj ekziston mundësi reale, edhe për arrestime të reja, por ndoshta jo, nga të parat, do të ndodhë ajo e Hajredin Kuqit. Siç dihet Kuqi në të kaluarën ka mbajtur poste të larta shtetërore, përfshirë edhe atë të ministrit të Drejtësisë, ndaj duke ëndërruar, kohën, kur ai dhe komandantat në pushtet, ishin të paprekshëm, edhe bastisjen në shtëpinë e tij nga zyrtarët e Gjykatës Speciale, e quajti si një “takim pune” duke u përpjekur të krijoi përshtypjen në “opinion” se pas Kosovës, ai sikur është emëruar ministër i “drejtësisë” edhe në Holandë, me të cilin Gjykata Speciale e ka për obligim të zhvilloj takime pune dhe pa mandatin e tij, nuk mund t’i vazhdojë procedimet e mëtejme të gjykimit në Hagë”, thotë ai.
Ai shprehet se, përkundër deklaratave qejfbërëse të Hajredin Kuqit, bastisjet e ish bashkëpunëtorëve të ngushtë të të arrestuarve nga Gjykata Speciale në Hagë, kanë qenë shumë të shpeshta.
“Madje si pasojë e po këtyre bastisjeve, alias “takime të punës”, pikërisht ndaj të arrestuarve në Hagë, Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit janë shqiptuar edhe masa kufizuese komunikimi me personat e afërt dhe ish bashkëpunëtor të tyre, njëri ndër të cilët ishte edhe Hajredin Kuqi. Kështu që, përderisa do të vazhdojnë gjykimet në Gjykatën Speciale, në varshmëri nga zhvillimet në proceset gjyqësore dhe grumbullimit të informatave të reja, për pjesëmarrjen e individëve në krime, apo pengimin e drejtësisë, për mes kërcënimeve dhe pengimit të personave zyrtar, në kryerjen e detyrave të tyre, Dhomat e Specializuara pritet të vijojnë edhe me arrestimet e këtyre personave, sado që paraprakisht, nuk bëhen të ditur as publikohen emrat e të dyshuarve, në mënyrë që Prokuroria ta kryej punën e saj në plotëni dhe të mos dështojë në arrestimet e të inkriminuarve potencial, të cilët, po morën vesh kohën e arrestimit, mund të provojnë t’i ikin drejtësisë”, përfundon analisti politik Gani Qarri.