Pas nisjes së fushatës për udhëtim pa viza në zonën Schengen, ka reaguar ambasadori i BE-së Tomáš Szunyog, i cili ka paralajmëruar kosovarët se mund të përballen me kufizime nëse nuk respektojnë rregullat dhe tejkalojnë periudhën e lejuar të qëndrimit.
Në një intervistë tek Kallxo Përnime, ambasadori është shprehur se pasi të fillojë zbatimi i marrëveshjes që qytetarët të udhëtojnë pa viza, duhet të sigurohen që të mos qëndrojnë në zonën Schengen më shume se 90 ditë brena 180 ditëve.
Ai ka thënë se nëse nuk respektohet ky rregull nga qytetarët, mund t’u ndalohet hyrja në zonën Schengen deri në dhjetë vite.
Tutje, ai tha se liberalizimi i vizave bëhet në mënyrë që qytetarët të vizitojnë vendet e zonës Schengen, dhe se nuk lejon që dikush të punojë apo të studiojë atje.
“Duhet ditur se liberalizimi ka të bëjë me turizmin. Pra, nuk është për të punuar, nuk është për të studiuar”, u shpreh Szunyog.
Ai ka shtuar se përveç mundësisë që disa individëve t’u ndalohet hyrja në zonën Schengen, nëse vërehet se shumë persona nuk i respektojnë rregullat, vendimi për liberalizim mund të pezullohet.
Ambasadori ka sugjeruar për të gjithë qytetarët që të jenë të vetëdijshëm për rregullat, pasi ato dëmtojnë jo vetëm veten e tyre por edhe vendin në tërësi.
“Nëse shumë njerëz shkelin rregullat, kjo mund të çojë në një pezullim të përgjithshëm”, ka shtuar ambasadori Szunyog.