Trupi gjykues, në rastin kundër Pjetër Shalës, synon që paraqitja e provave nga ana e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) të përfundojë me 6 korrik 2023. Kjo është bërë e ditur përmes një urdhri të lëshuar në përfundim të seancës gjyqësore në të cilën ka përfunduar dëshmia e dëshmitarit të tetë të prokurorisë.
Kryetarja e turpit gjykues, Mappie Veldt Foglia, ka bërë të ditur se datat 21 dhe 22 gusht janë caktuar për nisjen e paraqitjes së provave nga avokati i viktimave.
Gjithashtu, ajo e ka caktuar 18 shtatorin datë provizore për nisjen e paraqitjes së provave nga mbrojtja e Shalës.
Foglia: Trupi gjykues cakton 6 korrikun datë për përfundimin e argumenteve të ZPS-së
“Trupi gjykues cakton ditën e mërkurë 6 korrik 2023 si datë në të cilën duhet t’i përfundojë argumentet ZPS, përpara se ta përfundojë argumentin e saj, ZPS duhet të paraqesë kërkesat për pranimin e materialeve sipas nenit 37 të ligjit, apo materiale të tjera, po kështu përpara se përfundojë argumentet e saj ZPS dhe pas përfundimit të dëshmitarit të fundit të ZPS-së, palët dhe mbrojtësi i viktimave duhet të dorëzojnë kërkesat për pranimin e materialeve të shfrytëzuara gjatë pyetjeve që u kanë bërë dëshmitarëve të fundit të ZPS-së, që do të thotë dëshmitarëve të cilëve do të japin dëshmi midis datës 26 qershor dhe 5 korrik”, ka thënë kryegjykatësja.
Përmes urdhrit, ajo ka bërë të ditur se më 6 korrik, para orës 16:00, ZPS duhet të jap njoftim me shkrim se nuk ka më dëshmitarë për të thirrur, apo materiale të tjera për të paraqitur si prova.
Ndërsa, gjatë kësaj dite ka dëshmuar dëshmitari i tetë i ZPS-së, Zbynek Dolejsi, një ekspert për identifikimin e ADN-së.
Dëshmitari ka folur rreth një raporti të vitit 2009 dhe më pas për një tjetër të vitit 2023.
Pas përfundimit të intervistimit nga prokuroria, ai është përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Shalës.
Dëshmitari ka thënë se në raportin gjenetik të cilin e ka përpiluar si ekspert nuk janë shkruar të gjitha metodat që janë përdour për të përcaktuar afërsinë biologjike midis personit A dhe personit B.
Dolejsi, i cili ka thënë se është shef i Departamentit Gjenetik në Institutin e Kriminologjisë së Pragës, në Republikën Çeke, ka thënë se instituti nuk e ka për detyrë të tregojë të gjitha të metodat që i ka përdorur në nxjerrjen e raportit të vitit 2009.
Gjatë kësaj seance, mbrojtja e Shalës e ka pyetur dëshmitarin se kush i ka sjell kampionet për vlerësimin e afërsisë biologjike për personat në fjalë, pyetje kjo që është kundërshtuar nga kryetarja e trupit gjykues.
Sipas kryegjykatëses, Mappie Veldt Foglia, dëshmitari mund të pyetet vetëm për të dhënat që i ka shkruar në raportin e tij si ekspert.
E sipas dëshmitarit, për hartimin e raportit të vitit 2023 janë përdorur të dhënat e raportit të vitit 2009, por që nuk janë përfshirë të gjitha metodat e përdorura.
Dolejsi: Nuk jemi të detyruar të japim të gjithë informacionit që përdoret në akt-ekspertizë
“Mbase mund t’i kemi marrë në një mënyrë më të shpejtë, në raportin e 2009-ës nuk jepen të gjitha metodat që ne kemi përdorur. Gjithashtu nuk përcaktohet as cikli që përdoret për prodhimin e raportit. Këto janë të dhëna që nuk janë dhënë në këtë raport. Sipas mendimit tim prej eksperti dhe në deklaratën time prej akt-ekspertizës, ne nuk jemi të detyruar që të japim të gjithë informacionin që përftohet përmes aktiviteteve tona prej ekspertësh, sa i takon kampionëve të komplikuar, kështu që janë përdorur kite të tjera nga kompani konkurrente për të bërë verifikimin e pozicioneve kromozomale të nevojshme në mënyrë të tillë që të mund të përftoheshin sa më shumë rezultate të ishte e mundur”, ka thënë dëshmitari.
Avokatja: Fatkeqësisht nuk mund t na jepni këtë informacion, megjithatë na thatë më herët që duhet të përsërisni disa herë analizën nga segmente të pjesa e kockës. Sa herë e keni përsëritur këtë analizë për kockën?
Dolejsi: Po, gjithsej janë marrë 5 kampionë, pra gjithsej kocka u pre në segmente të tjera, pra u nda në disa pjesë.
Avokatja: Të dhënat për nëntë lokuse të cilat nuk ka nevojë t’i identifikojë nuk janë të paraqitura në raportin e vitit 2023. Këtë pyetje desha t’i bëjë dëshmitarit. A keni në dispozicion të dhëna nga analiza e 2009 e cila nuk është e përfshirë në raportin e vitit 2023, në çfarëdo formati?
Dolejsi: Ne kemi marrë të dhënat nga kodi që ka të bëjë me kromozomin Y dhe nuk besoj që kjo është pjesë e shtojcës, janë 11 tregues të Y dhe kjo është e njëjtë edhe për subjektin A dhe për fragmentin e eshtrës. Por kaq kemi arritur të sigurojmë.
Me këtë ka përfunduar intervistimi nga mbrojtja e Shalës ndërsa nuk ka pasur pyetje nga avokati i viktimave dhe as nga turpi gjykues.
Gjykimi kundër Pjetër Shalës do të vazhdojë më 26 qershor nga ora 09:30.
Shala ndodhet në qendrën e paraburgimit në Hagë prej marsit të vitit 2021.
Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet z.Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.