Shqipëria vijon nën mbizotërimin e motit të nxehtë edhe gjatë ditës së enjte, ku temperatura të larta priten në zonat veriperëndimore dhe zona të izoluara në jug të vendit.
Për sa i përket motit, kthjellimet do të jenë prezente deri pas mesdite kur pritet grumbullim i vranësirave në zonat përgjatë shtrirjes lindore, duke rrezikuar rrebeshe shiu si edhe breshër në zona të izoluara.
Parashikohet që orët e vona të mbrëmjes të përmirësojnë dukshëm kushtet atmosferike në të gjithë territorin e vendit.
Temperaturat e ajrit do të mbeten konstante në mëngjes, por rriten në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 19°C vlera më e ulët deri në 40°C vlera më e lartë e cila pritet në qarqet Shkodër dhe Elbasan.
Era do të fryjë mesatare në tokë dhe deri e fortë në det me shpejtësi mbi 50 km/h nga drejtimi jugor duke krijuar në brigjet detare dallgëzim mbi 4 ballë.
Kosova
Republika e Kosovës do të paraqitet me kthjellime dhe vranësira të lehta e kalimtare gjatë orëve të paradites, por pas mesditës dhe në vijim vranësirat do të bëhen më të dukshme në të gjithë territorin e Kosovës, ku në zonat kufitare me Shqipërinë priten rrebeshe të izoluara shiu. Nuk përjashtohet edhe mundësia e breshërit. Parashikohet që orët e vona të mbrëmjes të sjellin përmirësim të kushteve të motit duke bërë që kthjellimet dhe vranësirat e lehta të jenë dominante. Temperaturat e ajrit do të vijojnë konstante në mëngjes, por rriten në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 18°C vlera më e ulët në Mitrovicë deri në 38°C vlera më e lartë në Gjakovë. Era do të fryjë e lehtë paradite, por forcohet gjatë pasdites duke arritur shpejtësinë maksimale mbi 55 km/h nga drejtimi jugor.
Maqedonia e Veriut
Republika e MV përgjatë gjithë 24 orëshit do të jetë nën ndikimin e motit të kthjellët dhe të nxehtë, por orët e pasdites do të sjellin vranësira, ku herë pas here do të pësojnë zhvillim duke gjeneruar rrebeshe shiu të përkohshme. Parashikohet që në mbrëmje dhe gjatë natës moti të vijojë i nxehtë në të gjithë MV. Temperaturat e ajrit do të vijojnë njësoj në vlerat minimale, por rriten sërish maksimalet duke luhatur vlerat ditore nga 16°C vlera minimale në qytetin e Ohrit deri në 40°C vlera maksimale e cila do të shënohet sërish në Shkup. Ndërkohë era do të paraqitet mesatare deri e fortë duke arritur shpejtësinë mbi 50 km/h nga drejtimi permanent jugor.
Europa
Zhvillimi i një qendre të fuqishme ciklonare prej disa ditësh në veri të Europës me ndikim deri në qendër të Europës do të sjellë vranësira dhe reshje të dendura shiu në Britaninë e madhe si edhe vendet nordike. Po ashtu aktivizimi i një qendre të presioni të ulët atmosferik përkatësisht mbi rajonin e Balltikut do të sjellë vranësira dhe rrebeshe shiu përgjatë gjithë ditës ndërsa nën ndikimin e motit të kthjellët dhe temperaturave të larta do të paraqitet gadishulli Iberik, gadishulli i Ballkanit si edhe brigjet greke./abcnews.al