Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, iu është adresuar komunitetit serb në Kosovë përmes një videoje në gjuhën serbe.
Kurti ka thënë se arsyeja e rregullores së re të BQK’së nuk është ndalimi i dinarit por formalizimi i parave. Sipas tij, Serbia ka financuar terrorizëm, duke dërguar para me thasë për në Kosovë.
“Të gjithë jemi të vetëdijshëm për fushatën e ngritur mbi baza të rrejshme, kundër institucioneve të pavarura të themeluara me Kushtetutë, siç është Banka Qendrore e Kosovës, për hir të ruajtjes së mënyrave tashmë të konsoliduara të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit duke dërguar para të gatshme në thasë përmes kufijve të Serbisë dhe Kosovës”, ka thënë ai.
“Më 1 shkurt të këtij viti, ka hyrë në fuqi rregullorja e Bankës Qendrore për pagesat me para të gatshme. Kjo rregullore nuk i referohet dinarit dhe as nuk e përmend atë si të tillë. Prandaj, synimi i Bankës Qendrore është formalizimi i pagesës dhe procedurat lidhur me të, për dallim nga përpjekjet për të dëshmuar se qëllimi i saj është heqja e dinarit apo e ndonjë monedhe tjetër në Kosovë”, vijon ai.
Tutje, ai ka thënë se shuma e parave që vjen nga Beogradi, do të dihet saktësisht nga autoritetet e Kosovës.
Postimi i plotë:
Të dashur qytetarë të Republikës,
Mirëqenia jonë dhe e familjeve tona është forca shtytëse e veprimeve tona, por mbi të gjitha prioriteti i Qeverisë të sigurojë mirëqenie dhe asistenca sociale aty ku nevojitet, për të gjithë qytetarët e saj, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike.
Ju jam drejtuar shumë herë dhe kam theksuar se Qeveria që e drejtoj është Qeveria e të gjithë neve dhe Republika jonë është shtëpia e të gjitha komuniteteve që jetojnë këtu.
Lufta, dhe më pas politika e gabuar e politikanëve që ishin në krye të shtetit, lanë pas popullin pa përkujdesje, të varfër dhe të ekspozuar ndaj organizatave dhe bandave kriminale, derisa kujdeseshin për jetën luksoze të tyre dhe atyre që bashkëpunuan me ta.
Gjatë tre viteve të fundit, ne kemi bërë të pamundurën për të luftuar krimin me hapa të mençur, politikë të bazuar në vendosjen e ligjit dhe sundimin e ligjit. E ngritëm vendin tonë në një nivel më të lartë të demokracisë, që nënkupton edhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe qytetarit, e që u njoh edhe nga organizata prestigjioze Freedom House e më vonë edhe nga Transparency International për luftën kundër korrupsionit, si dhe nga World Justice Project si rezultat i respektimit dhe sundimit të ligjit.
Kjo vetëm tregon se sa mundemi dhe duhet, së bashku, si një shtet multikulturor dhe multietnik i ndërtuar mbi postulatet e respektimit të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, demokracisë dhe mundësive të barabarta për të gjithë dhe ndaj të gjithëve. Si një popull që është përpjekur për liri me shekuj dhe si shtetësi e të gjithëve që dëshirojnë paqe dhe prosperitet, ne duhet të tregojmë besim tek njëri-tjetri për të ecur përpara fuqishëm e me vendosmëri dhe kështu të mposhtim krimin, urrejtjen fetare, racore dhe etnike, ndarjen e shoqërisë dhe lajmet e rreme, të nevojshme për arritjen e qëllimeve nacionaliste e shoviniste dhe fitoret e ngushta politike.
Të gjithë jemi të vetëdijshëm për fushatën e ngritur mbi baza të rrejshme, kundër institucioneve të pavarura të themeluara me Kushtetutë, siç është Banka Qendrore e Kosovës, për hir të ruajtjes së mënyrave tashmë të konsoliduara të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit duke dërguar para të gatshme në thasë përmes kufijve të Serbisë dhe Kosovës.
Më 1 shkurt të këtij viti, ka hyrë në fuqi rregullorja e Bankës Qendrore për pagesat me para të gatshme. Kjo rregullore nuk i referohet dinarit dhe as nuk e përmend atë si të tillë. Prandaj, synimi i Bankës Qendrore është formalizimi i pagesës dhe procedurat lidhur me të, për dallim nga përpjekjet për të dëshmuar se qëllimi i saj është heqja e dinarit apo e ndonjë monedhe tjetër në Kosovë. Banka Qendrore tregon qartë se euro është mjeti i vetëm i pagesës në Kosovë dhe se në këtë drejtim, çdo transaksion duhet të jetë në euro si valuta e vetme zyrtare në Kosovë. Rregullorja e Bankës Qendrore nuk e ndalon Serbinë që të ndihmojë financiarisht qytetarët e komunitetit serb në Kosovë. Çdo sugjerim për të kundërtën është propagandë e rreme që synon krijimin e tensioneve etnike. Rregullorja e Bankës Qendrore siguron ligjshmërinë dhe transparencën e parave të importuara në Kosovë, bazuar në Kushtetutën dhe politikën monetare të Bashkimit Evropian.
Pra, Kosova nuk e ndaloi dinarin, ashtu siç nuk e ndaloi as dollarin, as funtën dhe as frangun zviceran. I vetmi ndryshim është se nga 1 shkurti, paratë nuk mund të kalojnë kufirin me thasë, siç nuk mund të bëhet në asnjë shtet demokratik, por mund të vijnë përmes llogarive bankare, të tërhequra në euro. Kjo politikë mbron qytetarët nga kërcënimet e krimit të organizuar, trafikimit me armë dhe pastrimit të parave. Deri më tani, mënyra e futjes dhe transportit të parave përtej kufinjëve u mundësonte grupeve kriminale të merrnin para të importuara ilegalisht, duke forcuar kështu ndikimin e tyre mbi popullin, duke frikësuar masat dhe duke inkurajuar kriminelët nga kreu i shtetit serb.
Krimi duhet mposhtur, duhet të ndalet pastrimi i parave dhe pasurimi i paligjshëm me qëllimin e lehtësimit të financimit të terroristëve dhe pengimit të paqes. Banka Qendrore e Kosovës i ka ofruar lehtësime për konvertimin e dinarëve në euro Bankës Popullore të Serbisë. Banka Qendrore e Kosovës ka siguruar hapjen e llogarive bankare në euro për ata që ende nuk e kanë bërë këtë, pa pagesë. Vetëm mendoni se sa mundësi do të krijojë hapja e një llogarie të rregullt bankare për një pjesë të vogël të popullsisë që nuk e ka bërë ende këtë: fluksi i parave përmes llogarisë do të mundësojë regjistrimin e pagesave dhe disbursimeve të ligjshme, të cilat do të jenë baza eventuale e marrjes së një kredie apo fillimit të një biznesi, marrja e ndihmës nga institucionet e Kosovës, pavarësia ekonomike e grave, e cila në mënyrë të pashmangshme çon në mundësi të reja për një jetë më të mirë.
Kosova ka krijuar skema të asistencës financiare dhe ndihmës sociale për familjet në nevojë, gratë lehona dhe nënat me fëmijë. Kjo lloj ndihme nuk do të përfundojë kurrë dhe vetëm do të rritet, në përputhje me rritjen ekonomike dhe planifikimin buxhetor. Çdo muaj, më shumë se 33,000 pjesëtarë të komunitetit serb marrin pensione nga Republika e Kosovës, 2205 familje marrin ndihmë sociale, 4244 familje marrin ndihmë për fëmijë dhe 1372 familje marrin ndihmë për gratë lehona dhe nënat me fëmijë. Gjithçka përmes llogarisë bankare të hapur në euro. Përmes tyre mund të merret edhe ndihma për komunitetin serb, e dërguar nga qeveria e Beogradit, e pranuar në euro dhe e regjistruar përmes llogarisë bankare për hir të transparencës dhe vendosjes së ligjshmërisë. Në këtë mënyrë, shuma e parave të dërguara nga Beogradi do të përputhet saktësisht me paratë që do të merrni në Kosovë.
Ne do të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë përmes fushatave informuese dhe mundësimit të lehtësimit, me synimin për një tranzicion të lehtë. Gjëja më e rëndësishme është të kuptohet dhe besohet se vendosja e shtetit ligjor është e pashmangshme, dërgimi i parave përmes transaksioneve bankare është i pakompromis dhe gëzimi i të drejtave të fituara deri më tani në mënyrë të lirë, nga autoritetet shtetërore në Kosovë, është një pjesë e domosdoshme e garantimit të lirisë së të gjithë qytetarëve për të marrë çdo ndihmë financiare nga cilado palë apo autoritet që vjen përmes rrugëve ligjore.
Faleminderit për vëmendjen tuaj dhe të ju dëshiroj të gjitha të mirat.