Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Parlamenti i Spanjës mblidhet sot në 15:00, këto janë partitë që pritet ta përkrahin propozimin për njohje të Kosovës

 
   

Parlamenti i Spanjës do të mblidhet sot në orën 15:00 për të mbajtur seancën plenare, në të cilën do të diskutohet dhe më pas edhe pritet të hidhet në votim propozimi jo-ligjor i deputetëve katalunas të “Junts” për njohjen e Republikës së Kosovës nga Qeveria e Spanjës.

Shefja e deputetëve katalunas në Parlament, Miriam Nogueras, në një intervistë ka treguar se për të kaluar në Kuvend nisma e tyre duhet shumicë e thjeshtë e votave.

“Propozimi mund të kalojë me një shumicë të thjeshtë votash, por në fund njohja e një Shteti të ri sovran mund të realizohet vetëm nga Qeveria”, ka thënë ajo.

 Image
 Foto 
 

Në këtë intervistë të dhënë të premten e javës së shkuar, Nogueras e pyetur lidhur me votat që kanë arritur të sigurojnë, kishte thënë se presin që nisma të përkrahet nga deputetët katalunas, baskë e galicianë.

Politikanja katalunase kishte thënë se qëndrimi i partive spanjolle rreth njohjes së Kosovës vazhdon të mbetet i njejtë dhe se partia e kryeministrit Sanchez s’ka dhënë sinjale se do të përkrah iniciativën.

 “Partia Socialiste e z. Sanchez nuk ka shprehur ndonjë qëllim për të mbështetur iniciativën. Ata kanë të njëjtin qëndrim si partia Konservatore PP. Në përgjithësi, për partitë spanjolle kjo është një çështje Shteti, një lloj vije të kuqe. Ata mendojnë se çdo njohje e pavarësisë së Kosovës mund të jetë një precedent për njohjen e mundshme të një shteti të pavarur Katalan nga vende të tjera. Kjo është frika e vërtetë pas qëndrimit të partive politike spanjolle”, ka thënë Nogueras të premten.