Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Partitë e opozitës me qëndrime të ndryshme për zgjedhjet

Kuvendi i Kosovës, të enjten do të mbaj mbledhje të jashtëzakonshme, por aty nuk do të diskutohet për shpërbërjen e Kuvendit, por për miratimin e tri marrëveshje ndërkombëtare. Nga ana tjetër, partitë opozitare kanë ende dallime se si do ta çojnë vendin në zgjedhje.

Nga Partia Demokratike e Kosovës mendojnë të flasin me LDK-në dhe AAK-në për të arritur një marrëveshje.

Por, nga LDK dhe AAK thonë se nuk do të heqin dorë nga kërkesa për dorëheqje të kryeministrit.

Gatishmëri për zgjedhje ka, por jo edhe ujdi mes partive opozitare për ta shpërndarë Kuvendin. Partia më e madhe opozitare, PDK, po e sheh si kohë të përshtatshme korrikun, për të shkuar në zgjedhje, por për këtë ende nuk janë pajtuar dy partitë tjera opozitare.

“Ne sigurisht që jemi duke u takuar me liderët e partive të tjera, LDK e AAK dhe të diskutojmë për mundësinë e shpërndarjes së Kuvendit duke qenë se nuk ka dorëheqje nga Qeveria. Pas takimeve do të shohim nëse ka ndryshim të qëndrimeve të tyre. Së pari të shohim a do të shpërndahet Kuvendi apo jo por gjithsesi ne nuk e mendojmë si opsion koalicionin me Vetëvendosjen, nuk është opsion I yni. Ne do të mendojmë të bëjmë koalicion me partitë e tjera por varësisht prej votave pas zgjedhjeve”, deklaroi Mërgim Lushtaku, deputet i PDK-së.

Nga LDK e AAK po kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Kurti, që të hapet rruga për zgjedhje të parakohshme.

“Ne nuk bëjmë pazare me asnjë parti politike. Presim që kryeministri të jap dorëheqje dhe vendi të shkoj në zgjedhje, jo të votojmë mocion. Qëndrimi mbetet I njëjtë, prej ditës që e kemi bë publik si Lidhje Demokratike e Kosovës”, tha ndërkaq Rrezearta Krasniqi, deputete nga radhët e LDK-së.

Ndërsa Besnik Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të AAK-së, thotë se Aleanca nuk e mbështetë shpërbërjen e Kuvendit, por kërkon shkarkim ose dorëheqje të kryeministrit.

“Aleanca nuk e bën këtë sepse kjo është një taktikë me shku në zgjedhje mu në mes të korrikut kur mendon se e ka diasporën këtu dhe kur mendon që të ikë prej përgjegjësive dhe dështimeve që kanë ndodhë. Ai duhet të ballafaqohet më të gjitha grupet parlamentare për të gjitha dështimet që i ka pas”, deklaroi Tahiri.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, në një konferencë për medie, e ka kritikuar Qeverinë Kurti se nuk ka punuar për lehtësimin e procesit të votimit nga diaspora, siç parashihet me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.