Seanca solemne për nder të 26-vjetorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka nisur me një minutë heshtje për familjen Jashari dhe të gjithë të rënët për liri. Deputetët kanë nderuar sakrificën dhe flijimin e familjes heroike nga Prekazi. Pozitë e opozitë kanë thënë se liria është amaneti i komandantit legjendar dhe dëshmorëve të lirisë. Në këtë seancë solemne u përmendën edhe ish-luftëtarët e UÇK-së, të cilët po gjykohen nga Hagë. Po ashtu, u bë thirrje që të ruhen miqësitë dhe miqve mos t’u mbyllen dyert.
Në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Selimi-Mehmeti u shpreh se qëndresa është virtyt i së drejtës. Ajo nderoi sakrificën e gjithë heronjve për liri dhe pavarësi të vendit.
Selimi-Mehmeti: Atdheu dhe liria janë amaneti i Adem Jasharit dhe dëshmorëve të lirisë
“Atdheu dhe liria janë amaneti i Adem Jasharit dhe dëshmorëve të lirisë. Këtë amanet duhet të jemi gati ta ruajmë me jetën tonë. Kështu e nderojmë veprën e Jasharëve. Kohët që po kalojnë nuk janë aspak të qeta. Ata na kujtojnë se armiku është i njëjtë, ai është i njëjtë tash e një shekull. Dredhitë e njëjta, planet e njëjta, egërsinë e fshehur po të njëjtë. Në këtë kohë aspak të lehta, na duhen më shumë se kurrë mësimet e Ademit dhe Hamzës. Për atdheun asnjë kompromis”, u shpreh ajo.
Në 26 vjetorin e Epopesë së UÇK-së, shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri përmendi Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin.
Tahiri: Ish-luftëtarët e UÇK-së po e mbrojnë drejtësinë e luftës
“Kur e kujtojmë Epopenë e komandantit legjendar Adem Jashari, nuk mund të harrojmë edhe bashkëluftëtarët e tij që sot janë në Hagë duke bërë betejën e radhës për Kosovën. Presidentin Hashim Thaçi, kryetarin Kadri Veselin, kryetarin Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimin dhe të tjerët, që sot janë në betejën për mbrojtjen e luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata sot po e mbrojnë drejtësinë e luftës së UÇK-së, të komandantit legjendar Adem Jashari, po e mbrojnë sakrificën e familjes Jashari dhe gjithë dëshmorëve e martirëve të rënë në luftën tonë për çlirim. Në vitin 1990, Thaçi dhe Selimi u dënuan me grupin e Jasharit nga gjykatat serbe, por lufta e tyre dhe komandantit legjendar Adem Jashari, ishte e drejtë dhe kemi shpresën që edhe në procesin në të cilin po kalojnë ata sot, do të dalë e drejtë dhe fitimtare siç ka dalë çdo herë”, deklaroi ai.
Ndërkaq, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni tha se datat 5,6 dhe 7 mars, janë të përjetshme shqiptare. Ai shtoi se krisma e pushkës së Adem Jasharit ishte krisma e mbrojtjes së pragut të shtëpisë.
Quni: Kurrë miqve mos t’ua mbyllim derën
“Sot jemi të lirë dhe të pavarur, mirëpo na mbetet të punojmë fort dhe ta zhvillojmë atdheun ashtu siç e meriton. Të punojmë fort e ta bëjmë ushtrinë tonë pjesë të NATO-s, të punojmë fort e ta bëjmë Kosovën pjesë të Bashkimit Evropian, të punojmë fort e t’i ruajmë miqësitë e Kosovës me miqtë e përjetshëm. Kurrë miqve mos t’ua mbyllim derën, kurrë armiqtë mos t’i lejojmë të shkelin në pragun e shtëpisë. Kjo është detyra jonë këtë ia kemi borxh Adem Jasharit dhe familjes heroike Jashari”, u shpreh ai.
Edhe shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri nderoi sakrificën e familjes Jashari.
Tahiri: Datat 5, 6 dhe 7 mars shënojnë kthesën e madhe për Kosovën
“Baci Shaban me të bijtë, Ademin e Hamzën, i kishin krejt të njohura faktet e rezistencës por edhe fatet popujve që nuk ecin në atë rrugë. Datat 5, 6 dhe 7 mars shënojnë kthesën e madhe për Kosovën, aty ku ndryshoi ora e historisë, aty ku u bë një epokë. Shtëpia, oda e familjes Jashari ishte kthyer në kuvendin e shumë takimeve të luftëtarëve për liri, aty vinin nga Drenica, Dukagjini, Llapi, Shala e Bajgorës, Pashtriku, Gollaku, Nerodimja, Karadaku dhe nga të gjitha trojet shqiptare. Ky vend i shenjtë ishte kthyer në qendrën e rezistencës, dhe të frymëzimit të atdhetarëve të UÇK-së”, përfundoi Tahiri.