Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Pas dështimit të referendumit, pritet të mbahet seanca e parë në objektin komunal të Zubin Potokut

 
   

Këtë të premte pritet të mbahet seanca e parë në Kuvendin Komunal të Zubin Potokut.

Këtë e ka konfirmuar, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

“Që nga fillimi kemi qenë kundër që ata të punojnë nga zyrat alternative dhe ju kemi ba thirrje e ju kemi krijua siguri që ata të shkojnë në zyrat e komunës. Unë sot pranova informatë nga kryesuesi i Kuvendi të Komunës së Zubin Potokut që ata nesër do ta mbajnë seancën e parë në objektin e komunës në Zubin Potok. Shpresoj që ky veprim dhe thirrja e kryeministrit pas mbajtës së zgjedhjeve të së dielës, që kryetarët të kthehen në komunë dhe të bashkëpunojnë me qytetarët drejtpërdrejtë është shumë I rëndësishëm”, ka deklaruar Krasniqi.

Tashmë ka kaluar një vit që kur kanë marrë pozitat e kryetarëve të dy komunave veriore, Izmir Zeqiri dhe Ilir Peci, dhe ende ushtrojnë detyrën nga zyrat alternative në fshatrat Çabër dhe Lipë.

Bojkoti i qytetarëve në komunat e veriut për të votuar për shkarkimin e tyre më 21 prill, u ka hapur rrugë kryetarëve të këtyre komunave që detyrën ta ushtrojnë nga zyrat në komunë.

Kryetari Zubin Potokut, Izmir Zeqiri dhe kryetari i Zveçanit, Ilir Peci patën hyrë në objektet e komunave që udhëheqin më 26 maj të vitit të kaluar, nën mbrojtjen e Policisë së Kosovës.

Por, më 29 maj 2023 iu pamundësua hyrja nga protestuesit serbë.

Para komunës së Zveçanit, protesta kishte eskaluar në dhunë, duke lënë të plagosur dhjetëra ushtarë të KFOR-it.

Nga atëherë, kryetarët e këtyre dy komunave kishin ushtruar detyrën nga zyrat alternative në fshatra.

Shkuarjen e tyre në zyrat e komunës e ka kërkuar edhe kryeministri Albin Kurti, pas bojkotit të votimit të së dielës nga serbët, për shkarkim të kryetarëve shqiptarë.