Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca gjyqësore në rastin ku aktori Naim Berisha ka paditur Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, duke kërkuar lidhjen e kontratës së rregullt të punës dhe dëmshpërblim të dëmit në pagë. Në këtë seancë pala paditëse kërkoi të plotësohet ekspertiza financiare e ekspertit Haziz Berisha, në mënyrë që të llogaritet kamata ligjore për diferencën në pagë.
Fillimisht, gjykatësi i rastit Përparim Zeka njoftoi se e paditura- përmes Avokaturës Shtetërore ka njoftuar se për seanca e ditës së sotme nuk mund të jenë prezent, duke kërkuar kështu shtyrjen e seancës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Mirëpo, gjykatësi Zeka tha se seanca e fundit për këtë rast është shtyrë për të njëjtën arsye dhe se Avokatura Shtetërore ka qenë e njoftuar se seanca nuk mund të shtyhet për shkaqe të njëjta.
Prandaj, me propozimin e paditësit Berisha seanca u mbajt në mungesë të palës së paditur.
Me këtë rast, u konstatua se është pranuar nga pala paditëse ekspertiza financiare, ku përfaqësuesi i Berishës, avokati Baton Bokshi kërkoi plotësim të së njëjtës, me kërkesë për llogaritje e kamatës ligjore për diferencën në pagë.
Për këtë, eksperti Berisha tha se kanë bërë llogaritjet e nevojshme, duke ia dorëzuar gjykatës dhe palës paditëse nga një kopje.
Më pas, propozimi i palës paditëse u pranua dhe seanca u ndërpre në mënyrë që pala paditëse të njoftohet për plotësimin e ekspertizës financiare dhe t’i jepet mundësi për deklarim.
Fillimisht, më 28 prill 2015, Gjykata Themelore në Prishtinë përmes aktgjykimit e refuzoi si të pabazuar kërkesëpadinë e Berishës. Kurse, më 12 maj 2015, Berisha parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit, me pretendimin se aktgjykimi i Themelores ishte i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave ligjore, zbatim të gabuar të së drejtës materiale dhe vërtetimit jo të plotë apo të gabuar të gjendjes faktike.
Andaj, më 15 nëntor 2019, Apeli e refuzoi si të pathemeltë ankesën e tij dhe vërtetoi aktgjykimin e Themelores, Por, Berisha më 28 tetor 2022, paraqiti revizion në Gjykatën Supreme, me pretendimin se vendimi i Apelit është marrë në zbatim të gabuar të së drejtës materiale dhe shkeljeve të tjera.
Supremja më 23 nëntor 2022, e refuzoi si të pabazuar revizionin e tij. Andaj, i njëjti kishte paraqitur në Gjykatën Kushtetuese kërkesë për vlerësim të kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Supremes.
Kushtetuesja përmes aktgjykimit të datës 15 shkurt 2024, e shpallit të pranueshme kërkesën e Naim Berishës dhe konstatoi se ka pasur shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të Kushtetuës dhe të drejtës për një proces të rregullt të KEDNJ-së. Me këtë vendim, shpalli vendimin e Supremes të pavlefshëm dhe vendosi ta kthejë çështjen në rishqyrtim në shkallën e tretë.
Gjykata Supreme më 8 mars 2024 mori aktvendim me të cilin u pranua revizioni i Berishës, ashtu që prishte aktgjykimi i Apelit dhe ai i Themelores, duke e kthyer kështu çështjen në rigjykim në shkallë të parë. Supremja i ka vlerësuar si të bazuara thëniet e revizionit, që kanë të bëjnë me shkeljet thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale, Sipas shkallës së tretë, në rivendosje duhe të evitohen shkeljet e paraqitura.
Në vendimin e Supremes, thuhet se nuk ka deklarim të saktë të gjykatave të instancës më të ulët lidhur me pretendimet e paditësit dhe se nuk janë trajtuar ato pretendime të cilat kanë të bëjnë me diskriminimin në pagë.
“…ka të bëjë me periudhën prej 1.07.2011 deri 30.04.2015, pasi që paditësi pretendon se ka qenë i diskriminar në raport me kolegët tjerë aktorë të TKK-së përkatesisht, edhe me kolegun Sh.K., me të njëjtin kualifikim, me të njëjtin status etj, që rezulton edhe nga provat e administruara, si lista e pagave përkatese, nga të cilat vërehet dallimi me kolegët tjere dhe me kolegun e lartëpermendur, ndërkohë që, për këtë diskriminim flet edhe fakti se sipas listës së pagave etj, paga e paditësit, me titull aktor, në krahasim me kolegët tjerë, ështe ekuivalente me pagën e dy pastruesve të TKK-së, me të dhënat si në shkresat e lëndës”, thuhej në vendimin e Supremes.
Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 9 nëntor 2012, paditësi po pretendon se është diskriminuar nga e paditura për kalim në kontratë të rregullt, po ashtu edhe për figurim në listën e rregullt të pagave.
Në padi thuhet se paditësi është i punësuar në Teatrin Kombëtar me seli në Prishtinë që nga 1 korriku i vitit 2009 dhe që më 1 gusht 2012, i kishte mbushur tri vite marrëdhënie pune, pa shkëputje kontrate mbi vepër ashtu siç parashihet me rregullore 05/2011, Neni 19, pika 2.2, dhe atë përreth dy vite nuk i është lejuar e drejta për shpërfaqjen e aftësive profesionale në skenën e Teatrit Kombëtar.
Në padi thuhet se paditësi kishte ushtruar ankesë pranë MKRS-së më 21 shkurt dhe 26 shtator 2012, por ajo nuk i është përgjigjur. Sipas padisë, MKRS-ja nuk i është përgjigjur as kërkesës së Teatrit Kombëtar të bërë më 12 tetor 2012.
Po ashtu, thuhet se paditësi i ishte drejtuar edhe Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil, i cili sipas tij ishte shpallur jokompetent për të vendosur për këtë çështje.
Sipas padisë, paditësi kësaj gjykate i është drejtuar duke iu referuar këshillës juridike të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil, ku thuhet se pala e pakënaqur me këtë vendim ka të drejtë të iniciojë konflikt administrativ në gjykatën kompetente.
Në bazë të këtyre pretendimeve, paditësi po kërkon nga gjykata që padia dhe kërkesa e saj të aprovohen si të bazuara dhe të detyrohet e paditura ta ndërpresë diskriminimin si dhe të trajtohet në mënyrë të barabartë me të gjithë kolegët e tjerë në TKK.
Po ashtu, ka kërkuar nga gjykata që e paditura t’ia kompensojë dëmin material për shkak të dëmtimit në pagë, konform titullit të pozitës dhe titullit akademik, ashtu sikurse është e paraparë me ligj.