Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemi, ka reaguar pas dorëheqjes së Ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehajt, duke thënë se kryeministrit Albin Kurti i ka mbetur vetëm një ministre nga diaspora, Donika Gërvallën, të cilën, sipas tij, do të duhej ta shkarkonte.
Azemi ka thënë se Kurtit i iku një ministër që të paktën publikisht s’ka qenë i përfolur për ndonjë skandal dhe se vazhdojnë ta rrethojnë plot ministra të dyshuar për keqpërdorime dhe korrupsion dhe që kanë shkelur Kushtetutën.
Sipas Azemit, dorëheqjet e ministrave dhe zëvendësministrave janë tregues “se në këtë qeveri kanë vend vetëm ata që i nënshtrohen linjës së Kurtit, përmes komandave të Dejona Mihajlit”.
“Me gjasë ky është rrethi që po e do Kurti. Zaten ky është lloji i vartësve që i duhet. Mos të harrojmë se nga kjo qeveri kanë dhënë dorëheqje edhe të paktën tre zëvendësministra. Sikurse edhe ministrat e dorëhequr, edhe këta zëvendësministra, në qeveri u përfshinë si të jashtëm, pra nuk ishin pjesë e partisë në pushtet zyrtarisht. Kjo është njëfarë treguesi se në këtë qeveri kanë vend vetëm ata që i nënshtrohen linjës së Kurtit, përmes komandave të Dejona Mihajlit. Mos ta mendojë dikush që aty mund të shkohet për të dhënē kontribut si profesionist”, ka shkruar Azemi.