Në kuadër të rotacionit të madh në postet diplomatike të Bashkimit Evropian nëpër botë, Mirosllav Lajçak, që aktualisht është i dërguari i posaçëm i bllokut për dialogun Kosovë-Serbi, pritet të bëhet ambasador i BE-së në Zvicër.
Media mëson nga burimet diplomatike se Lajçak do të nisë mandatin në kryeqytetin zviceran, Bern, më 1 shtator të këtij viti.
Ende nuk dihet se kush do ta zëvendësojë Lajçakun në postin e të dërguarit të posaçëm për dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Hidajet Ahmeti.
Ai u shpreh se nuk mendon që do të ketë në substancë ndryshime dialogu Kosovë – Serbi, pasi Lajçak ka qenë vetëm një përfaqësues i BE-së.
Hidajet Ahmeti
“Nuk mendoj se do të ketë ndryshime në substancë, pasi ndryshimet në qasjen dialoguese nuk janë të determimuara nga individët. Gjithë qasja në dialogun Kosovë – Serbi është derivuar tek zoti Lajçak, ku realisht ky ka qenë vetëm një përfaqësues i tyre, ku gjuha e tij ka qenë gjuhë e BE-së”, u shpreh ai.
Më tej, ai thekson që BE duhet të ndryshoj qasje, nëse kërkon zgjidhje të problemit e jo të veproj me logjikën e deri tanishme.
“BE si palë ndërmjetësuese ka qenë e njëanshme, duke vepruar me standarde të dyfishta, të cilat kanë prodhuar një situatë të pafavorshme për frymën e dialogut. BE duhet të ndryshoj qasje, nëse kërkon zgjidhje të problemit e jo të veproj me logjikën e deritanishme. Dialogu si proces duhet të zhvillohet brenda pikëpamjes objektive, pasi Kosova si shtet është palë e barabartë në procesin dialogues”, përfundoi analisti Hidajet Ahmeti.
Kujtojmë që para katër vjetësh, ish-ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Lajçak ishte emëruar në këtë post. Mandati i tij përfundon në fund të gushtit.