Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Pas rrethimit, vetëdorëzohet vrasësi i policit në Fier

Pas 48 orësh në arrati, policia ka arrestuar Azgan Mërnicën, vrasësin e efektivit Novruz Cenalia. Ky i fundit, efektiv i forcave “Shqiponja”, u vra mesditën e të hënës në fshatin Baltëz të Fierit nga 23-vjeçari Mërnica.

23-vjeçari u vetëdorëzua pas negociatave të policisë dhe babait e dajës së autorit.

Forcat RENEA e kishin lokalizuar Azgan Mërnicën në një banesë në fshatin Dërmenas dhe kërkuan nga familjarët e tij që të negocionin për t’u vetëdorëzuar, ose do të neutralizohej. Atij ju la afat për vetëdorëzimin ose do të ndërhyhej nga ana e RENEA-s.

Krimi i rëndë ndodhi pas një konflikti se kush kishte të drejtën për të kaluar me makinë në rrugën e fshatit.

Të dy debatuan me fjalë e më pas dolën nga mjetet përkatëse. Në këtë moment, Azgan Mërnica qëlloi me 1 plumb pistolete në kokë efektivin që po shkonte në punë të merrte shërbimin.

Autori ka qenë me të ëmën në makinë në momentin e ngjarjes. Ai u arratis dhe braktisi mjetin tek shtëpia e dajës për t’u arratisur më pas në këmbë për t’u kapur mbrëmjen e të mërkurës.

“Në pamundësi për tu larguar, familjarët kanë vetëdorëzuar në Polici autorin e vrasjes së punonjësit të Policisë shtetasin Azgan Mernica, 23 vjeç, i cili aktualisht ndodhet në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet hetimore dhe procedurale me autorin e dyshuar, Azgan Mernica”, thuhet nga Policia e Shtetit.