
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky i ka bërë ftesë presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump që ta vizitojë vendin e tij përpara çdo marrëveshje të mundshme me Rusinë për t’i dhënë fund luftës.
“Ju lutemi, përpara çdo lloj vendimi, çdo lloj forme negociatash, ejani të shihni njerëz, civilë, luftëtarë, spitale, kisha, fëmijë të shkatërruar ose të vdekur”, tha Zelensky në një intervistë për programin 60 Minuta të CBS.
Intervista u regjistrua para sulmit shkatërrues me raketa ruse të së dielës në qytetin ukrainas të Sumy, i cili vrau 34 njerëz – duke përfshirë dy fëmijë – dhe plagosi 117 të tjerë.
Trump e përshkroi sulmin si një “gjë të tmerrshme”, ndërsa kancelari në pritje i Gjermanisë, Friedrich Merz, akuzoi Rusinë për kryerjen e një krimi lufte.
Presidenti francez Emmanuel Macron akuzoi Rusinë për “mospërfillje të hapur të jetëve njerëzore, ligjit ndërkombëtar dhe përpjekjeve diplomatike të Presidentit Trump”.
“Nevojiten masa të forta për të vendosur një armëpushim ndaj Rusisë”, tha ai. Franca po punon pa u lodhur drejt këtij qëllimi, së bashku me partnerët e saj.
Sulmi i dyfishtë i raketave të së dielës ishte sulmi më vdekjeprurës ndaj civilëve në Ukrainë këtë vit, raporton BBC.
Vlerësohet se qindra mijëra njerëz – shumica dërrmuese e tyre ushtarë – janë vrarë ose plagosur nga të gjitha anët që kur Rusia nisi një pushtim të plotë të Ukrainës më 24 shkurt 2022.
OKB-ja vlerëson se afro shtatë milionë ukrainas aktualisht jetojnë si refugjatë.