Shefi i Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns, përmbylli vizitën e tij dyditore në Kosovë, pas takimeve që zhvilloi në Prishtinë me krerët shtetërorë dhe udhëheqësin e inteligjencës kosovare.
Mëngjesin e 23 gushtit, për rreth një orë ai u takua me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.
Pas këtij takimi, sipas ueb-faqes për gjurmimin e fluturimeve, Flightradar, avioni i ushtrisë amerikane, me të cilin po udhëton Burns, është larguar nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, “Adem Jashari”.
Kryeministri Kurti gjatë kësaj jave ishte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku me ftesë të Institutit Kombëtar Demokratik, përcolli nga afër Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike.
Ai ende nuk është deklaruar rreth takimit me zyrtarin më të lartë amerikan të inteligjencës.
Një ditë më herët, Burns u takua në Prishtinë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe me shefin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Petrit Ajeti.
Presidentja Osmani, më 23 gusht, konfirmoi takimin me kreun e CIA-s, William Burns.
“Aleanca me Shtetet e Bashkuara, garanci për siguri, paqe e sukses”, shkroi ajo në Facebook.
Vizita e shefit të CIA-s në Kosovë pason vizitat që zyrtari kryesor i inteligjencës amerikane zhvilloi në Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi.
Në Sarajevë më 20 gusht, Burns u takua me drejtorin e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Bosnje e Hercegovinës, Almir Xhuvo, dhe me anëtarët e Presidencës së Bosnjës, Denis Beqiroviq, Zhelko Komshiq dhe Zhelka Cvijanoviqit, anëtaren serbe të sanksionuar nga SHBA-ja.
Nga Qeveria amerikane i thanë Radios Evropa e Lirë se gjatë takimeve në Sarajevë “ata diskutuan për çështje me interes të përbashkët, të cilat përfshijnë integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnje e Hercegovinës”.
Gjatë vizitës, sipas zytarit amerikan, Burns diskutoi edhe për retorikën secesioniste dhe veprimet e Millorad Dodikut, presidentit prorus të entitetit serb të Bosnjë e Hercegovinës, Republika Sërpska.
Një ditë më vonë, Dodik deklaroi se “nuk e kam kundërshtuar kurrë” sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje e Hercegovinës në përputhje me Marrëveshjen e Dejtonit, ndërkaq shkëputja “nuk ka qenë kurrë politikë e jona”.
Sa i përket vizitës në Beograd, nuk dihet se me kë është takuar Burns.