Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Pasi bëri homazhe në Prekaz, policia serbe ndalon në Merdar vajzën e Sanduloviqit

 
   

Vajza e politikanit serb Nikola Sanduloviq, Klara, është ndaluar nga policia serbe në pikëkalimin kufitar në Merdar të shtunën, pak orë pasi bëri homazhe te kompleksi memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Kryetari i Partisë Republikane Serbe ka thënë se vajzës së tij nuk i është lejuar kthimi në Serbi.

Në një postim në rrjetin social “X”, Sanduloviq ka shkruar se vajza e tij po persekutohet nga regjimi dictatorial i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

“Regjimi diktatorial i Aleksandar Vuçiqit vazhdon ta persekutojë vajzën time, Klarën. Policia po e mban atë dhe zyrtarët e Partisë Republikane në pikëkalimin kufitar të Merdarit dhe nuk po i lejojnë të hyjnë në Serbi”, ka shkruar ai.

Gjatë ditës, Klara Sanduloviq bëri homazhe te kompleksi memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

“Të respektojmë që të mos përsëritet ma”, shkruan në mesazhin që ajo ka lënë te varri i Blerina Jasharit.

Pasi bëri homazhe, Klara Sanduloviq tha se babai i saj është i vetmi politikan serb që promovon paqen e prosperitetin dhe se politika e tij bazohet në falje dhe paqe.

“Vitin e kaluar ai erdhi në këtë vend dhe shprehi ngushëllimet e tij për të gjitha viktimat e pafajshme që u vranë gjatë luftës. Ky ishte një akt shumë paqësor dhe qeveria serbe arriti në përfundimin se ky ishte krim e kjo ishte gjuhë e urrejtjes, kështu që vendosa të bëhesha njëjtë kriminel si babai im”.

“Vendosa të vij këtu dhe të shpreh ngushëllimet e mia për të gjitha viktimat e paligjshme. Dhe t’ia shprehi brezit tim që ne duhet të ndalojmë urrejtjen dhe duhet të falim njëri-tjetrin dhe gjithashtu duhet të kërkojmë falje dhe që gjëra të tilla që ishin në të kaluarën të mos përsëriten dhe asnjë fëmijë të mos vritet në të ardhmen”, deklaroi vajza e politikanit Sanduloviq.

Bashkë me Klara Sanduloviqin ishte edhe nënkryetari i Partisë Republikane në Serbi, Mihajlo Todiq, i cili ka përsëritur kërkimfaljen e Sanduloviqit duke thënë se Ballkani Perëndimor meriton paqe dhe se popujt në të duhet të pajtohen e të kthehen kah e ardhmja.