Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Pasi Macroni ia kujtoi Vuçiqit Banjskën, a pritet që Beogradi ta zgjidhë rastin e sulmit në Kosovë?

Edhe pse kaloi më shumë se gjysmë viti pas sulmit në Banjskë të Kosovës, Serbia nuk ngriti ndonjë padi kundër Millan Radoiçiqit.

Prokuroria e Lartë Publike në Beograd nuk iu përgjigj pyetjes së përsëritur të Radios Evropa e Lirë për rrjedhën e procedurës kundër ish-nënkryetarit të Listës Serbe, i cili mori përgjegjësinë për sulmin e 24 shtatorit, 2023, raporton Radio Evropa e Lirë.

Në atë sulm u vra polici kosovar, Afrim Bunjaku.

Në përgjigjen e fundit që REL-i mori më 8 shkurt, Prokuroria tha se është “duke verifikuar dëshminë e të dyshuarit” Radoiçiq.

Më 8 prill, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, foli për rëndësinë e zgjidhjes së rastit në Banjskë, gjatë një adresimi të përbashkët me presidentin e Serbisë, Alleksandar Vuçiq, në Paris.

Të nesërmen, Vuçiq u tha gazetarëve se bisedimet me presidentin francez për Kosovën nuk ishin të lehta, por se mendon se Macron “e kupton qëndrimin e Serbisë”.

Megjithatë, ai nuk i përmendi rezultatet e hetimeve për Banjskën.

“Nuk mund të ketë përparim në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përderisa ekziston kërcënimi se Banjska do të përsëritet”, thotë Engjëllushe Morina, nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, për Radion Evropa e Lirë.

“Autorët duhet të sillen para drejtësisë, sepse situata e sigurisë duhet të jetë e mirë, në mënyrë që mosmarrëveshja Kosovë-Serbi të zgjidhet”, thotë ajo.

Morina shton se, përkundër thirrjeve për zbardhjen e rastit, bashkësia ndërkombëtare nuk po i bën presion të mjaftueshëm Serbisë.

“Ajo që po shohim tani dhe viteve të fundit, ka të bëjë më shumë me koncesionet, jo aq shumë me detyrimet”, thotë ajo.

Çfarë thonë zyrtarët ndërkombëtarë?

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha më 8 prill se vendi i tij do të sigurojë që të përmbushet çdo hap i Marrëveshjes së Ohrit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.

Gjatë një adresimi të përbashkët me Vuçiqin në Paris, Macron tha se “çështja e Kosovës është një premtim dhe një zotim për të ardhmen e rajonit”.

Ai, gjithashtu, tha se është e rëndësishme që pjesëmarrësit në sulmin në Banjskë të arrestohen.

“Është vetëm një konfirmim se evropianët nuk e kanë harruar atë që Vuçiq do të donte të harrohej”, vlerëson komentuesi serb i politikës së jashtme, Boshko Jakshiq, për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se fakti që Macron nuk e ngriti çështjen “në mënyrë private”, tregon për rëndësinë e rastit Banjska.

“[Macron] mendoi se duhej ta thoshte këtë para publikut”, thotë Jakshiq./REL