Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Pasi na ktheu UDB-ja, në Peshkopi, në Degën e Brendshme, na priti vetë Kadri Hazbiu, i cili i goditi vëllezërit, kurse ne dy vajzat e reja..”

Djemtë e Zenel Qytezës u lidhën ngushtësisht me shoqërinë atdhetare e patriotike “Vatra”, duke u ushqyer në këtë mënyrë nga ideale nacionaliste

Në “Katër Rrugët” e Shijakut, diku rreth 100 m. në të djathtë të segmentit Durrës-Shijak, pas një bërryli të vogël rruge, jeton një grua, e cila ka aq vuajtje sa dhe mosha e saj 70-vjeçare. Quhet Fatrije Qyteza, vajza e patriotit të vrarë në burgjet komuniste, Ali Maliqi nga Dibra, e martuar me të birin e tregtarit korçar Qamil Qyteza. Ndërsa duart i dridhen sa nga vuajtjet, sa nga mosha apo emocionet e shkaktuara nga detyrimi për të risjellë në kujtesë ato vite vuajtje, sytë i flasin shumë. Edhe zërin e ka të fortë, ndërsa dëshmon se është vajzë e një oxhaku të fisëm dhe grua e një dere të dëgjuar korçare. Deri para viteve ’90 – të, burrat e djemtë e shtëpisë u degdisën në kampe e burgje, kurse në vitet e paskomunizimit, shumë prej tyre morën mërgimin, duke mos i dhënë asnjëherë kësaj gruaje të drejtën të gëzohet, deri në kufijtë e një nëne…!

Historitë e dy familjeve

Tragjedia familjare e Qamil Qytezës me vëllezër dhe Ali Maliqit nisin shumë herët. Tregtari i madh korçar, Qamili, u shpëtoi plumbave të skuadrës së pushkatimit, por jo plumbit pas kokës të prokurorit. Shtatë vëllezërit Qyteza: Bektashi, Sadiku, Qamili, Nevruzi, Hazbiu, Haliti dhe Faiku, në fillim të shekullit XX-të ikën nga fshati dhe një pjesë morën rrugën e Turqisë, e të tjerë përfunduan në Amerikë. Ata u lindën në Qytezë, në Kolonjë, por fshati ishte aq i varfër, sa pula hante gurë. Në Nju Jork e në Çikago, nisën të punojnë fillimisht si çirakë, por pak vite më pas, blenë lokalin e tyre të punës si dhe gjashtë dyqane të tjera.

Djemtë e Zenel Qytezës u lidhën ngushtësisht me shoqërinë atdhetare e patriotike “Vatra”, duke u ushqyer në këtë mënyrë nga ideale nacionaliste. Në Shqipëri lanë prindërit për të cilët i paguan një greku 5.000 dollarë asokohe, me kusht që t’i bashkonte me djemtë. Tregtari grek u shpenzoi paratë, ndërsa prindërit jetuan të ndarë nga djemtë. Në kohën që në Amerikë nisi të shfaqej në mënyrë të hapur moda dhe vajzat dilnin në rrugë e shkonin në punë me funde shumë të shkurtra, djemtë vendosën të kthehen në Shqipëri. Qamili u ka treguar të bijve se shkaku kryesor, ishte vendimi i djemve që të martoheshin me shqiptare. Shitën dyqanet dhe në vitet 1920, me paratë e grumbulluara blejnë në fshatin Rovë, (afro 7 km. larg Korçës) 800 ha. tokë buke, arë e pyje.

Në Amerikë kishin parë plantacione dhe këtë bënë në Rehovë, mbollën sipërfaqe të mëdha me mollë e dardha dhe nisën tregtinë. Plot 14.400 franga ari, apo 86 kg. florinj u ka kushtuar kjo tokë, për të cilën edhe sot pasardhësit e vëllezërve Qyteza, ruajnë tapitë e hershme. Më pas blejnë një shtëpi në Korçë, dyqane, magazina dhe nisin të merren me tregti, lënde drusore dhe mallra të ndryshëm. Ata furnizonin italianët me lëndë drusore në vitet 1935-’37, duke krijuar edhe miqësi, ndërsa si familje, manifestonin ide nacionaliste, të mbartura nga lëvizja atdhetare e shoqërisë “Vatra”. Për të mos u mjaftuar me kaq, ata blinin 2000-3000 krerë qengja, me një çerek leku dhe 23 muaj më pas, ua shisnin ortodoksëve, me tre çerek leku, duke nxjerrë fitime të mëdha.

Qamili, ka qenë tregtari i parë që kishte kamion për transport malli në Korçë, si dhe autoveturë “Lance” italiane, ndërsa si klient i bankës “Di Napoli”, kishte marrëdhënie tregtare me kompaninë amerikane “2 PON”. Në Korçë, vëllezërit njiheshin si tregtarë të ndershëm dhe kjo u krijoi lidhje edhe me figura të njohura, si Mit’hat Frashëri apo Safet Budka. Deri në shtatorin e ’43-it në ‘Marrëveshjen e Mukjes’, Qytezët ishin të patrazuar nga komunistët, ndërkohë që Qamili, mbante arkën e ‘Ballit Kombëtar’. Deri asokohe, ballistë e komunistë, shkonin bashkë fshat më fshat. Pas kësaj ngjarjeje, Skënder Qyteza u ka treguar të bijve, se ngjarjet u rrokullisën. Edhe pse asnjë nga vëllezërit Qyteza, nuk ka shkrehur asnjë herë pushkën dhe asnjëri prej tyre nuk ka vënë në sup armën, djemtë e Zenel Qytezës, u cilësuar “armiq, tradhtarë e bashkëpunëtorë me armikun”.

Para se të kapitullonte Italia, Qamilit dhe të birit të tij Skënderit, iu ofruar mundësia për të ikur në Itali. Në rrëfimet e familjarëve, mësohet se gjithçka erdhi në formën e një shpërblimi, për tregtarët Qyteza, të cilët i falën detyrimet një tregtari Italian, ngase ai nuk kishte me se të shlyente paratë për mallin. Sapo u çlirua Korça, tregtarit i morën të gjitha çelësat e dyqaneve, kurse Qamili me të birin e tij, Skënderin, u arrestuan. Me vendim të Gjykatës Ushtarake, numër 1 të datës 31.5.1945, Qamil Qyteza dënohet me vdekje, kurse i biri, Skënder Qyteza, vetëm 25 vjeç, dënohet me 101 vjet burg. Vendimi për pushkatimin e Qamilit, vjen pas presioneve që ka bërë Enver Hoxha, i cili nuk ishte pajtuar me dënimin e Qamilit me 101 vjet, duke u shprehur se; tregtari korçar, kishte shumë influencë dhe duhej ekzekutuar. Hoxha njihte mirë këtë familje, pasi në Liceun e Korçës, kishte njohur Skënderin e Halitin.

Pushkatimi nuk vonoi. Tek parku “Rinia” në Korçë, u hap një gropë e madhe dhe aty u groposën 13 tregtarët e dënuar me vdekje. Në mesin e tyre, edhe Qamil Qyteza, Xhevat Starova, Liço Panariti, etj. Të gjithë tregtarë e nacionalistë. Ata u dënuan me akuzën se, “ishin kriminelë e armiq”, por asnjëri nuk kishte shtënë, qoftë një herë me armë. Kolonjari Qyteza, ra i gjallë në gropë pasi nuk e kapën plumbat e skuadrës së pushkatimit, por prokurori që ndiqte zbatimin e vendimit dha goditjen e vdekjes, duke e mbuluar edhe atë në gjak. Para se të vdiste, Qamili i kishte thënë të birit në qeli, se ata që bënin gjykime politike dhe ata që urdhëronin këto gjykime, do të përfundonin të shpërndarë një ditë, si tespitë e këputura. Por kjo ditë do të ishte shumë e largët, më shumë se 45-vjeçare.

Skënderi, vuajti fillimisht dënimin në vitet 1945-1954, në Burrel. Më pas në Kuç të Vlorës, Savër, Gradisht, Elbasan, Sarandë. Në vitet e burgut, njihet me atdhetarin nacionalist, Ali Maliqi nga Dibra, i dënuar me 23 vjet burg politik. Miqësia e tyre u forcua, me shprehjen e vullnetit nga Ali Maliqi, për t’i dhënë vajzën Skënderit. Dibrani, sipas rrëfimit të së bijës, Fatrijes, u vra nga Sigurimi i Shtetit, në kampin e punës në Elbasan, vetëm 3 muaj para se Ali Maliqi, të përfundonte vuajtjen e dënimit, në vitin 1967. Skënderi, ishte shpallur nga regjimi komunist, si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Kavalieri i viteve ‘35-’40-të, që paguante me flori kafet në lokale ahengu dhe muzikën e pëlqyer korçare e kolonjare, ishte bërë tashmë për regjimin, person shumë i rrezikshëm!

Të dënuarit Qyteza

Hazbi Qyteza, intelektuali i arsimuar jashtë vendit, u dënua nga regjimi, me 10 vjet burg. Hazbiu u detyrua të punonte në tharjen e kënetës në Maliq, Terbuf, etj. Njëherësh u dënua edhe Halit Qyteza, me 18 vjet burg, nën akuzën e bashkëpunimit me amerikanët. Haliti kishte pasaportë si nënshtetas amerikan, por ai, nuk pati asnjë mundësi të komunikonte pas viteve ’44, me Amerikën. Edhe Mehdi Qyteza, i biri i Bektashit, dënohet me 7 vjet burg. Të gjithë të tjerët, vuajnë dhjetëra vite në kampe përqendrimi. Por atdhetarët e fisit Qyteza, të njohur si elita patriotike dhe tregtare në Korçë, patën edhe dashamirë e bashkëvuajtës, nga derë nacionalistësh.

Kështu ata njohën në burgje dhe vuajtën së bashku vitet e diktaturës, me të burgosur të tjerë, si; Sami Dangëllia, Hodo Sokoli, Ceno Çaushi, Xhevdet Kapshtica, Sami Bitincka, Zihni Dërvishi, Atif Golja, etj. Shtatë vëllezërit dhe nipërit Qyteza, numërojnë me dhjetëra e dhjetëra vite burg, e qindra të tjera vite internimi. Në kohën e afrimit të perëndimit të diktaturës komuniste, pasardhësit e tyre, u vendosën dikush në Durrës e Tiranë, të tjerë në Shijak, Lushnjë e Elbasan, ndërsa shumë nga fisi Qyteza, ikën në Amerikë. Pasuria e tyre e sekuestruar, kap shifra në miliona lekë, ndërsa në 20 vjet demokraci, ata nuk kanë përfituar, thuajse asgjë. Ata mbeten ndër familjet që e vuajtën gjithë jetën diktaturën, duke sakrifikuar për shkak të ndjenjave nacionaliste, edhe jetën e tyre. Dëmshpërblimi sot, vetëm 50 mijë lekë…!

Si u sekuestrua në ’46-ën, pasuria e madhe e familjes Qyteza?

Me vendim numër 39, të datës 29 janar 1946, disa muaj pasi Qamil Qyteza ishte pushkatuar, pasuria e tyre, përvetësohet nga shteti. Në një proces-verbal të vitit të mësipërm, cilësohet lista e gjatë e sendeve dhe mallit të sekuestruar. Është e pamundur të rreshtohen të gjitha, ngase lista është thuajse pambarim. Regjimi komunist i konfiskoi 800 ha. në fshatin Rehovë, 407 m.2 tokë truall në Korçë, 245 m.2 shtëpi në Korçë, 4.670 e 39 për qind franga ari, 38 dele, 20 mijë tulla, 10 mijë kg. gëlqere, karro e makinë barë-lidhëse, automjet e kamion.

Në të njëjtin proces-verbal, janë regjistruar të sekuestruara; radio “Filips”, kolltukë, orë tryeze, mindere, shilte, qilim muri, krevat, jastëkë, jorgan, gardërobë, sunduqe, tenxhere bakri, tepsi bakri, gjyma bakri, tenxhere alumini, lugë alumini, broke uji, dollap ushqimi, etj. Pas viteve ’90-të, familja e vëllezërve Qyteza, është cilësuar si familje e persekutuar rëndë nga regjimi komunist. Por në këto 20 vjet, ata kanë marrë si dëmshpërblim, 50 mijë lekë (të reja), për Skënderin e dënuar me 101 vjet burg dhe asnjë qindarkë, për të pushtuarit e të dënuarit e tjerë, e asgjë për vitet e internimeve.

Ndërkohë që bashkë me shumën e mësipërme, kanë përfituar edhe letër me vlerë, 32 milionë, e cila sot këmbehet me 07 për qind. Familjarët kanë vendosur të mbajnë në sirtar letrën me vlerë, ndërsa ata kanë vite që enden dyerve të gjykatës, për të kërkuar kthimin e pronave, si dhe dëmshpërblim për sendet dhe mallin e sekuestruar.

Kampi i internimit në Tepelenë

Fatrija kujton, se në kampin e internimit në Tepelenë, nga torturat dhe vuajtjet, vdisnin në ditë rreth 20 fëmijë e pleq. Kampi qe bërë tmerr për të gjitha familjet e persekutuara. Të rrethuar në tela, në një terren shumë të vështirë dhe në mjerim të plotë, mbaheshin më shumë se 1.200 vetë. Burrat e djemtë, vuanin dënimet në burgje, kurse prindërit e moshuar, fëmijët, gratë dhe të porsalindurit, mbikëqyreshin në këtë kamp të egër. Fatrijes, i ka mbetur para syve një emision televiziv, teksa një gazetare tregonte se si në kampet naziste, kishte një stivë të tërë me këpucë të të persekutuarve.

“Në Tepelenë, asnjë nuk kishte as nallane dhe të gjithë ecnim në këmbë, të leckosur, të uritur dhe të përçmuar deri në palcë”,-tregon Fatrija. E martuar me “armikun e popullit”, Skënder Qyteza, djalë i tregtarit dhe patriotit të madh të Korçës, Qamil Qyteza, Fatrija dëshmon se; vuajtjet e të gjithë të internuarve atje, ishin të padurueshme. Gratë ecin zbathur në ditë me ngricë, akull, borë, shkëmbinj dhe nxirrnin dru në malet e Salarisë, për furrën e kampit. Nuk i shqitet nga mendja një here, teksa nëna e saj, Ilmie, ndihmonte një grua të sëmurë, duke ia marrë disa dru nga barra. Ushtari që i shoqëronte e ndali karvanin e grave dhe ngarkoi nënën e Fatrijes, sa për dy dënga, ndërsa ajo, në pamundësi për të mbajtur drutë, ra përdhe.

Mbi të ranë drutë, por asnjë grua nuk u lejua ta ndihmonte, deri sa gruaja u gjakos dhe iu zu fryma. Kjo grua që sot ka mbushur të 76 vite, thotë se e gjithë Mirdita, u internua në Tepelenë, pas vrasjes së Bardhok Bibës, duke ushtruar terror në popull. Kjo nënë, është dëshmitare e rasteve pa mbarim, teksa në të njëjtin varr, futeshin 2 e 3 fëmijë, që vdisnin nga uria. Por pas disa muajsh, gropa hapej përsëri e mbi ta hidheshin fëmijët e tjerë edhe ata të vdekur nga sëmundjet e uria. “Ne të rriturit hanim bungur (grurë i shtypur), të përzier me gjethe qepe e të mbushur në krimba. Por këtë ushqim, nuk e hanin dot bebet e fëmijët”, – tregon Fatrija, për vitet që ka hequr në Tepelenë.

Në këtë kamp, gratë nuk kishin as qumësht gjiri e, as ushqim për bebet dhe shifrat e vdekjes rriteshin nga viti në vit. “Me sytë tanë kemi pare, se sa shumë vdisnin në Tepelenë, në këtë kamp të tmerrshëm. Nuk i kam numëruar, por them me siguri, se në kamp, vdisnin afro 20 vetë në ditë, më së shumti të moshuar, fëmijë e bebe”, – kujton Fatrija. Të gjitha familjet që ishin futur në këtë kamp, ishin të dënuar të ndërgjegjes dhe për këtë arsye, çdo lëvizje dhe grumbullim i tyre, përgjohej. Nënë Fatrija, e kaloi të gjithë jetën e rrethuar në tela, në varfëri e skamje. Por jo e vetme. Për të dhe familjen e saj, burgu e ferri, nisin në moshën 12-vjeçare, duke i marrë rininë, ndërsa u shpëton torturave e vuajtjeve, në moshë të plakur, me ardhjen e demokracisë, në vitin 1992.

“Pas torturave, nuk e njoha bashkëshortin tim”!

Në vitin 1959, Fatrije Agolli, vajza e Ali Maliqit, martohet me Skënder Qytezën. Ajo ishte asokohe 26 vjeçe dhe gjendej në kampin e internimit në Savër të Lushnjës. Në të njëjtin kamp internimi, gjendej edhe burri i saj i ardhshëm, Skënderi. Fatrija ishte nga Dibra, kurse Skënderi nga Korça. Martesa është bërë me shkuesi, me pëlqimin e babait të saj, i cili e kishte njohur Skënder Qytezën, në burg. Të dy familjet njiheshin në zonat e tyre, si familje atdhetare, patriotike, nacionaliste dhe kundër regjimit komunist. Kjo qe ana e fortë e bashkimit, ndërsa Fatrija tregon se, dibranët e korçarët, kanë edhe anë të tjera të përbashkëta. Për shembull: janë mikpritës, gatuajnë shumë mirë, gratë dhe shtëpitë janë pastërtore, kishin kulturë, etj.

Në ditën e dasmës, Fatrija nuk kishte të atin, por dasmorët ishin të shumtë. Edhe ata, të dënuar e të dëbuar, nga viset e tyre. Në ditën e martesës, morën pjesë burra e gra të fisit Mërlika, Abaz Kupit, Mirakajt, Dostët, Kokonët, Kaloshët, etj. “Të gjithë fiset më në zë të Shqipërisë, ishin të dënuar e të internuar, të gjithë ata erdhën në dasmën tonë”, – kujton Fatrija. Nusja e re e shtëpisë së familjes Qyteza, nuk kishte pajë. E gjithë pasuria e çiftit, ishin një dhomë e vogël me kallama e dritare plastmasi, një krevat dërrase, një dyshek dhe një jorgan. Në thuajse të njëjtën kasolle ku u martuan, erdhën në jetë në Gradisht të Lushnjës, dy djemtë e Skënderit, Arbeni e Arjani. Por gëzimi në këtë familje nuk do të vinte kurrë.

Vuajtjet do i ndiqnin deri në shembjen e diktaturës komuniste. Skënderin e arrestojnë në vitin 1979, në moshën 59-vjeçare, për të dytën herë. Dënimin e parë e merr në vitin 1944, së bashku me të atin e tij, Qamil Qytezën, tregtarin e madh korçar, që do të pushkatohej. Skënderit, iu kërkua të fliste kundër ish-zëvendësministrit të Kulturës, Matho Balës, i cili ishte akuzuar për moral, për një lidhje të padenjë, me një këngëtare (S.Z.). Ai nuk pranoi të fliste, për ato që i kërkuan në hetuesi. Qëndrimi i tij nuk ishte i gjatë në qeli, pasi e nxorën para gjyqit, tre muaj pasi e kishin përpirë në birucë. Mosnënshtrimi i kushtoi rëndë. Në sallën e gjyqit, ishin edhe gruaja e tij, Fatrija, djemtë dhe familjarë të tjerë. “Unë po shikoja nga dera, duke pritur të shihja Skënderin. Në fillim u fut një njeri me duar të lidhura, por unë nuk e njoha.

Pas pak dëgjova që më thërriti në emër dhe pasi drejtova sytë nga vinte zëri, pashë Skënderin. E kishin torturuar aq shumë, sa unë nuk e njoha fare. Në qeli, katër herë mjekët, kishin mundur ta rikthenin në jetë, pas torturave”, – kujton ato vite gruaja e Skënderit. Fatrija tregon se, trupi i Skënderit qe tretur, fytyra i qe zbehur dhe eshtrat që e mbanin në këmbë, të krijonin bindjen se ai, nuk mund të jetonte më shumë se 2 ose 3 javë. Trupi gjykues, e dënoi për agjitacion e propaganda, kundër regjimit popullor, pasi nuk pranoi të pohonte atë që kërkuan hetuesit. Gjatë seancës gjyqësore, është rrëzuar disa herë në karrige dhe është ngritur nga policët, që i qëndronin aty pranë. I dënuari dërgohet në Ballsh, vendin ku si pasojë e helmeve të fabrikës, kanë vdekur më shumë se 400 të burgosur. Nga Ballshi, transferohet për në Zejmen të Lezhës, ndërsa në vitin 1986, deri në vitin 1988, vuan dënimin në Përparim të Sarandës, i sëmurë rëndë.

“Kadri Hazbiu, na shante e na qëllonte me shqelma”!

Djemtë dhe vajza e Ali Maliqit, kishin vendosur të arratiseshin pasi jetesa në fshatin Kërçisht, fshat pranë Maqellarës së Peshkopisë, ishte bërë e padurueshme. Babai i djemve, Aliu, vuante dënimin me 23 vjet burg, i cilësuar nga regjimi komunist, si; “armik i popullit”. Ashtu si dhe vet i dënuari edhe familjarë e të afërm të tij, e kishin shprehur mes tyre, se Aliu nuk do të dilte i gjallë nga burgu. Në fshat, si dhe në rastet kur fëmijët e Ali Maliqit, binin në shehër për të blerë sende e ushqime, jo vetëm që njerëzia nuk u fliste, por edhe i shikonin me cinizëm dhe lëshonin prapa krahëve, një lum me akuza. Edhe ata pak persona që donin të përshëndeteshin, e kishin të pamundur, pasi djemtë, vëllezërit, nipërit dhe të afërm të familjes së Aliut, përgjoheshin nga sytë e agjentëve të Sigurimit.

Jeta në fshat për ta, ishte bërë tepër e vështirë. Askush nuk hynte e nuk dilte në kullën e Ali Maliqit. Varfëria kishte mbërthyer shtëpinë dhe për t’i shpëtuar vdekjes, ata menduan të iknin të gjithë. Ishte vjeshta e vitit 1956. Avniu, Agimi e Jashari, së bashku me motrën e tyre, Fatrijen dhe vajzën e xhaxhait, u nisën drejt malit një nga një, për t’u takuar në vendin e caktuar. Ecën më shumë gjunjazi dhe barkas, sesa në këmbë, që të mos shikoheshin nga fshatarët dhe ushtarët e kufirit. Nga Kërçishti, dolën në Rekë të Dibrës. Rruga që shumë e mundimshme për Fatrijen, ndërsa Jashari, ishte vetëm 13 vjeç dhe lodhja e tyre, i vuri disa herë në rrezik djemtë e Ali Maliqit.

“Më ther o vëlla, që të mos bie e gjallë në dorë të rojeve dhe ikni, se nuk kam më fuqi të eci”, – u është drejtuar Fatrija vëllait, Avniut, kujtime, të cilat Fatrija thotë se i ka të gjalla edhe sot pas 53 vitesh. Në të gdhirë të ditës, pasi kaluan në vende të thepisura, të uritur e të etur deri në vdekje, familja e arratisur, ndeshi në dy priftërinj. Ata i dërguan në fshatin Idrizovë të Shkupit, ku ndenjën dy javë në një repart ushtarak. Në kohën që menduan se vuajtjet e torturat e tyre përfunduan, vëllezërit, Fatrija dhe kushërira e saj, u morën nga ushtarët serb dhe iu dorëzuan policisë e ushtrisë shqiptare, në pikën kufitare të Bllatës.

Pa asnjë ndalesë, të hipur në një mjet të ushtrisë, të lidhur në këmbë e në duar, Avniu, Agimi, Jashari, Fatrija dhe vajza tjetër, përfunduan në Degën e Brendshme në Peshkopi. “Na futën në një dhomë. Sapo hyra, pashë një njeri që qëndronte në këmbë. E njoha. Ishte ministri i Brendshëm, Kadri Hazbiu. Qe veshur me uniformën e gjeneralit dhe në supe e në gjoks, mbante disa grada. Fytyra e tij qe egërsuar. Kishte ardhur t’u fuste frikën dibranëve, duke na bërë shembull torturash e burgosjesh ne, fëmijët e Ali Maliqit”,- tregon Fatrija.

Ajo tregon se Kadriu, kishte fjalor të rëndë, fyes e denigrues dhe se nuk ka kursyer, duke qëlluar e kërcënuar, jo vetëm të rriturit, por edhe Jasharin 13 vjeç. Në Degën e Brendshme të Peshkopisë, ata janë torturuar, kurse vet Kadri Hazbiu, i ka qëlluar me shqelm edhe dy vajzat, së bashku me fëmijën 13 vjeç. Avni Agolli, u dënua me 15 vjet burg, vëllai tjetër i Fatrijes, Agim Agolli, vuajti 10 vjet burg, ndërsa si familje, ata u internuan të gjithë. /Memorie.al/