Motoçikletat ishin pasioni i tij i madh. Që kur ishte fëmijë. Ai shpesh i kushtonte postime në rrjetet sociale mikut të tij të ngushtë, i cili kishte vdekur vite më parë në një aksident me motor.
Si për ironi të fatit, e njëjta tragjedi i ndodhi edhe atij.
Mediet italiane bëjnë me dije se Aldo Gjoka, 29 vjeç gjeti vdekjen pas një aksidenti me motor.
Gjoka kishte lindur në Tiranë dhe banonte në Lecce.
Ngjarja e rëndë ndodhi në San Foca në bregdetin Adriatik të Salentos.
Gjoka ka qenë duke lëvizur me motorin e tij, kur për shkaqe ende të panjohura, është përplasur me një makinë, një Jaguar e cila drejtohej nga një 44-vjeçar gjithashtu me origjinë shqiptare.
Për shkak të goditjes jashtëzakonisht të dhunshme, makina ka përfunduar në një parmak ndërsa Aldo Gjoka ka përplasur murin rrethues të një prone private, duke e rrëzuar atë.
Gjithashtu u shkatërrua një shtyllë ndriçimi, motori mori flakë dhe Aldo gjeti vdekjen në vendin e ngjarjes.
Disa shoferë kalimtarë kanë lajmëruar shërbimet e urgjencës.
Përpjekjet për ta ringjallur të riun ishin të kota dhe ai praktikisht vdiq menjëherë, lëndimet që mori rezultuan shumë të rënda.
Drejtuesi i makinës, në gjendje konfuze, u dërgua në spital për kontrolle të mëtejshme dhe për t’iu nënshtruar testeve të alkoolit dhe drogës./Albeu.com/