Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Pasuria e Glauk Konjufcës, një banesë në pronësi të tij dhe dy banesa e një shtëpi në pronësi të prindërve

 
   

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit ka deklaruar se paga vjetore që ai ka marrë gjatë vitit 2024 ishte 35 mijë e 875 euro.

Kursime nga të ardhurat personale ai ka deklaruar 7 mijë e 620 euro, sipas deklarimit të pasurisë në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, i cili është bërë publik.

Konjufca ka deklaruar se në vitin 2018 ka blerë një banesë në vlerë 60 mijë e 793 euro, ndërsa dy banesa të tjera janë në pronësi të prindërve të tij, të cilat së bashku vlejnë 136 mijë euro.

Pjesë e pasurisë se deklaruar nga Konjufca është edhe një shtëpi me hapësirë 130 m2, pronësi e prindërve të tij, vlera e cilës është 45 mijë euro.

Në deklarimin e pasurisë Konjufca ka deklaruar edhe katër parcela të cilat janë në pronësi të prindërve të tij.

Prona e parë e deklaruar është 50 ari tokë në vlerë 10 mijë euro, prona e dytë 12.49 ari e vlerësuar në shumën 24 mijë e 980 euro, prona e tretë sipas renditjes në formularin e APK-së është 27.50 ari në vlerë prej 27 mijë e 500 Euro dhe prona e fundit e deklaruar është 8.53 ari tokë vlera e së cilës është 80 mijë euro.

Konjufca ka deklaruar se në vitin 2019 kishte marrë një kredi në vlerë mbi 61 mijë euro për blerjen e banesës ndërsa tani detyrime për pagesa sipas deklarimit ka edhe 31 mijë e 746 euro.

Ivetmi deklarim në pronësi të bashkëshortes së Konjufcës, sipas deklarimit, është vetura e tipit “Chevrolette” në vlerë 3 mijë euro.

Deputeti Glauk Konjufca ka deklaruar edhe një parking  në vlerë 12 mijë euro dhe një depo në vlerë 500 euro.

Ndërsa nga mëditjet, Konjufca ka deklaruar se ka fituar 501 euro.