Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

PDK e AAK kritikojnë qeverinë për gjendjen në ndërmarrjet publike

 
   

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës për gjendjen “e rënduar” nëpër ndërmarrjet publike. Sipas tyre, ndërmarrjet janë me dhjetëra miliona euro borxhe dhe rrezikohen edhe nga përmbaruesi.

PDK e AAK theksojnë se gjendja në këto ndërmarrje ka ardhur si pasojë e vendosjes së personave pa kuadro nëpër pozita menaxhuese.

Kryetari i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Ferat Shala, ka thënë për Ekonomia Online se gjendja në ndërmarrjet publike është si rezultat i keqmenaxhimit dhe vendosjes së kuadrove politik.

“Të vërtetat, faktet dhe argumentet por edhe raportet financiare dhe audituese të ndërmarrjeve publike, pasqyrojnë gjendjen reale të skajshme, pra keqmenaxhimin e Qeverisë dhe politikat në raport me ndërmarrjet publike. Asnjëra nga to nuk ka përformuar tash e katër vite me rezultat pozitiv, si rezultat i vendosjes së kuadrove krejtësisht politike. Fatkeqësisht një pjesë e madhe e tyre ende janë pas katër vitesh me ushtrues detyre, pa politika të qarta dhe mbështetje për financim dhe rivitalizim të tyre”, ka thënë Shala.

Shala ka përmendur gjendjen si më të rënduar në Trepçë dhe në KEK. Për të parën, ka thënë se rrezikohet të “goditet” edhe nga përmbaruesi, ndërsa për gjendjen në KEK fajëson Qeverinë për shkak të mbajtjes së pozitave me ushtrues detyre.

“Ajo që është më shqetësuese pothuajse secila nga to tash është me dhjetëra milionë euro borxhe dhe një pjesë e tyre tashmë po rrezikohen nga përmbaruesi. Rastin ekstrem e kemi ditëve të fundit, ku përmbaruesit pothuajse i kanë bllokuar kontot e Trepçës dhe presin që të godasin në kuptimin financiar këtë ndërmarrje dhe ashtu keq të menaxhuar dhe në pozitë të rëndë ekonomike. Shqetësim tjetër është që tashmë në Kishnicë, pothuajse po bëhen shtatë ditë ku Kishnica dhe pjesa e kompleksit të Trepçës është pa energji elektrike dhe faktikisht jashtë funksionit dhe jashtë punës. Njëjtë situatë e skajshëm jashtë kontrollit menaxhues institucional është ndërmarrja KEK. Të gjithë departamentet dhe sektorët janë me ushtrues detyre, krejtësisht me kuadro politike e që në realitet janë jashtëzakonisht në pozitë e palakmueshme në mënyrën e organizimit dhe prodhimit, qoftë në departamentin e thëngjillit që është bazik si lëndë e parë për energjinë, qoftë në pjesën e mirëmbajtjes dhe vitalizimit të kapaciteteve gjeneruese në termocentrale”, ka thënë Shala.

Mendim të ngjashëm ka edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj. Sikurse Shala edhe Lekaj fajëson Qeverinë Kurti për gjendjen në ndërmarrjet publike.

“Sa i përket ndërmarrjeve publike për katërvjeçarin e Qeverisë Kurti, mendoj që kanë numëruar ditët më të këqija të mundshme sa i përket menaxhimit të këtyre ndërmarrjeve, krijimin e bordeve, që tërë kohën kanë punuar me ushtrues detyre dhe mund të them që do të mbahet mend jo pse e kanë ndalë gjakderdhjen financiare por kanë vijuar edhe shumë më keq sa i përket menaxhimit të këtyre ndërmarrjeve dhe mund të them që shumica prej tyre janë para falimentimit dhe kanë ardh me mashtrime, po shkojnë me mashtrime dhe po i lënë ndërmarrjet edhe më keq se kanë qenë”, ka thënë Lekaj për EO.

Lekaj ka thënë se mungesa e përkrahjes financiare, e ka sjellë Trepçën e Ferronikelin në këtë gjendje.

“Ju e dini sa herë kemi pas kërkesa nga sindikata e punëtorëve të Trepçës, Ferronikelit dhe e dini që ka pas pak subvencione apo mbështetje, mirëpo nuk ja kanë dalë që ta përmirësojnë gjendjen, prapë po vazhdon avazi sikurse ka qenë dhe mendoj që kjo qeveri ka vepruar vetëm atëherë kur i ka krijuar vetë problemet për t’i zgjidhur dhe ja që nuk ia ka dalë dhe mund të them që asnjë ndërmarrje publike nuk mund t’i themi që kjo ndërmarrje publike për katër vjet ka profit të caktuar apo ka kthesë pozitive sa i përket funksionimit të tyre”, u shpreh Lekaj.