Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​PDK hap fushatën e bindur për fitoren e madhe të 9 shkurtit

 
   

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka hapur sot zyrtarisht fushatën në rrugëtimin e saj të përbashkët me qytetarët për fitore në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Ajo me këtë rast ka prezantuar edhe ekipin fitues të 110 kandidatëve për deputetë.

Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi ka shprehur bindjen se partia që ai drejton do të del subjekt i parë politik në Kosovë, pasi ofron përvojën më të mirë dhe ofron programin më të mirë qeverisës.

Krasniqi: Kosova meriton dhe mundet ma mirë

“PDK festën që po e nisim sonte do ta përmbyllim bashkë mbrëmjen e 9 shkurtit në sheshin e Prishtinës dhe anembanë Kosovës kur do të mblidhemi përsëri për fitoren e madhe të PDK-së…Ju kërkoj ndjesë të gjithë atyre që nuk i ka zënë kjo sallë, por sonte po ua kërkojmë një obligim të ri kryeministrit të ardhshëm Bedri Hamzës që në Prishtinë ta ndërtojmë një sallë trefish më të madhe…Pas një muaji do ta zgjedhim një Kuvend të ri, e pas Kuvendit Kosova do ta ketë një qeveri të re, të cilën ju qytetarët do ta përcaktoni. Po, unë jam i bindur se ky do të jetë rezultati i këtyre zgjedhjeve – një qeveri tjetër një qeveri e re, sepse jam i bindur se me shumicën dërmuese të qytetarëve besoj se Kosova meriton dhe mundet ma mirë, një Kosovë ku çdo qytetar mund të jetojë me dinjitet… Kjo Kosovë më e mirë është ajo që do ta bëjë Bedri Hamza me ekipin e PDK-së”, ka thënë Krasniqi.

Ai tha se PDK-ja ka program të duhur për përmirësimin e jetës së qytetarëve, për ta bërë Kosovën më të fortë dhe më të mirë me në krye Bedri Hamzën si kryeministër, teksa listën prej 110 kandidatëve për deputetë e ka quajtur më të mirën për qytetarët e vendit.

Kreu i PDK-së ka përmendur edhe ish-krerët e UÇK-së, të cilët po mbahen padrejtësisht në Hagë duke thënë se mezi po presin kthimin e tyre në Kosovë.

Krasniqi ka akuzuar qeverisjen aktuale për dështim në udhëheqjen e vendit, duke sjellë zhgënjim te qytetarët.

Krasniqi: Çdo premtim në programin e Bedri Hamzës është obligim i secilit prej nesh

“Sot qytetarët tanë me të drejtë janë të shqetësuar nga stagnimi dhe regresi që ka sjellë në çdo fushë kjo qeveri mburracakësh jo-kompetentë, por sot është koha që qytetarët të mos e humbin shpresën, por të kthejnë besimin në Kosovën që e dëshirojnë. Besoni në të gjitha premtimet tona, se ne do t’i rritim pagat dhe pensionet. Qytetarët tanë punojnë shumë dhe meritojnë shpërblim denjësisht. Asnjë familje nuk duhet të luftojë e vetme për të mbijetuar. Do ta përmirësojmë sistemin shëndetësor, asnjë qytetar nuk duhet të zgjedhë mes ilaçeve dhe ushqimit, do të ulim çmimin e energjisë elektrike, do të krijojmë fondin e papunësisë për ata që humbin vendin e punës, do ta ulim tatimin me pronë dhe do të subvencionojmë të gjitha familjet që dërgojnë fëmijët në çerdhet private. Çdo premtim në programin e Bedri Hamzës sot është obligim i secilit prej nesh nesër”, tha Krasniqi.

Kandidati për kryeministër nga PDK-ja, Bedri Hamza ka thënë se me ndihmën e qytetarëve vendi do të ketë një të ardhme me prosperitet, teksa nuk ka lënë pa përmendur edhe ish-krerët e UÇK-së që po mbahen padrejtësisht në Hagë.

Hamza: Jam i gatshëm ta udhëheq Kosovën

“Qytetarët do të vendosin për drejtimin e duhur që do ta merr shtetin tonë. Unë qëndroj para jush i gatshëm për t’ju udhëhequr, sepse së bashku dua ta nisim një kapitull të ri, të unitetit, progresit. Jemi mbledhur si forcë e bashkuar, të bindur se Kosova meriton shumë më shumë me dinjitet dhe prosperitet. Bashkë mund ta ndërtojmë një Kosovë më të mirë…Jemi të bindur se shumë shpejt ata do të dalin fitues dhe do të kthehen në mesin tonë, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, bacën Jakup, Rexhën dhe bashkëluftëtarët e tyre që po mbahen në Hagë”, ka thënë Hamza.

Kandidati i PDK-së për kryeministër ka thënë se një prej prioriteteve kryesore të tij është zhvillimi ekonomik dhe ngritja e pagave.

Hamza: Vizioni im për një Kosovë më të fuqishme ka në themel hapjen e vendeve të reja të punës

“Vizioni im për një Kosovë më të fuqishme, ka në themel hapjen e vendeve të reja të punës. Ka edhe rritjen e pagave në sektorin privat përmes rritjes së mbështetjes për bizneset. Me grante investive dhe subvencione, me lehtësira fiskale dhe qasje më të lehtë në financa, ne do t’i mbështesim bizneset që të zhvillohen. Por, zhvillimi i bizneseve nuk është vetëm për zgjerimin e tregjeve. Është edhe për fuqizimin e punëtorëve. Fuqia punëtore është zemra e çdo biznesi në sektorin privat… Edhe të punësuarit në sektorin publik do të kenë paga të dinjitetshme. Në muajt e parë të qeverisjes sime, pagat do t’i rris për 50%. Përveç pagave, për 70 % do t’i rris pensionet bazike. Do t’i rris edhe pensionet kontribut-dhënëse, të cilat do të përshkallëzohen sipas viteve të punës… Do t’i rrisim për 50% përfitimet për familjet e dëshmorëve, për invalidët e luftës dhe veteranët e UÇK-së”, ka thënë Hamza.

Kandidati i PDK-së për kryeministër ka thënë se në ditët e para të qeverisjes do të marrë hapa që ndikojnë në çmimin e energjisë elektrike, investimet për rritjen e prodhimit të energjisë elektrike. Ai shtoi se për t’ua lehtësuar barrën financiare, do të ndajnë subvencione prej 100 eurosh në muaj për çdo familje që nuk mund t’i regjistrojë fëmijët në çerdhet publike.

Ai ka theksuar se si mbështetje për familjet dhe përkujdesje për të moshuarit, do të ndërtojnë edhe Qendra për Kujdesin e të Moshuarve në secilin rajon të Kosovës, si dhe do ta nisin programin e mbështetjes financiare që ofron subvencione dhe grante deri në 30 % të investimeve për bizneset që punësojnë të rinj.

Hamza ka premtuar themelimin e bursës së Kosovës, gjykatës së punës dhe fondin për papunësinë. Ai ka thënë se shumë e rëndësishme për ta theksuar është edhe themelimi i Fondit Shtetëror të Bursave prej 25 milionë eurosh në vit për studentët.

Kandidati i PDK-së për kryeministër ka thënë se nën qeverisjen e tij Kosova do t’i riparojë dhe forcojë marrëdhëniet me vendet e Bashkimit Evropian dhe SHBA, si dhe do të bashkëpunojnë ngushtë për konsolidimin e Kosovës në rrugëtimin drejt NATO-s dhe BE-së.

Ai ka pasur një thirrje edhe për ata që e kanë votuar qeverisjen aktuale dhe ndihen të zhgënjyer.

Hamza: Besoni në PDK

“Dua t’ju drejtohem edhe atyre që në të kaluarën e kanë votuar partinë në pushtet. Atyre që e kanë humbur shpresën dhe ndihen të zhgënjyer ose të lënë pas dore. Shumë prej jush, para katër vitesh, me mirëbesim, votuat për ndryshim. Por, tani keni mbetur të zhgënjyer nga premtimet e thyera dhe fjalët që nuk u mbajtën. Unë mund të flas shumë për dështimet e shumta të kësaj qeverie gjatë katër viteve të fundit. Për stagnimin ekonomik, për izolimin ndërkombëtar, për përkeqësimin e mirëqenies së qytetarëve tanë, për ngritjen e çmimeve e shumë dështime të tjera me pasoja të mëdha për shtetin dhe juve. Por, sot e konsideroj shumë më të rëndësishme që t’ju shikoj në sy secilin prej jush dhe t’ju kërkoj të besoni përsëri”, u ka kërkuar Hamza.

Kujtojmë, sot edhe zyrtarisht ka nisur fushata për zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit, ku për legjislativin e ri do të garojnë gjithsej 28 subjekte politike me 1.280 kandidatë të certifikuar nga KQZ-ja.