Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka bërë të ditur se ka dorëzuar kërkesën që në seancën e radhës të kuvendit të shqyrtohet rezoluta që fuqizon Policinë e Kosovës.
Tahiri, potencoi se me anë të kësaj rezolute propozojnë që të ndahen mjetet për shtesat e rrezikshmërisë dhe Projektligji për pensionim të parakohshëm të zyrtarëve policorë.
“Në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, sot dorëzova në Kuvendin e Kosovës kërkesën që në seancën e radhës të shqyrtohet Rezoluta jonë që synon fuqizimin e Policisë së Kosovës”, shkroi Tahiri.
“Me anë të kësaj rezolute, ne propozojmë që 15 ditë nga miratimi i saj të ndahen mjetet për shtesat e rrezikshmërisë për Policinë e Kosovës. Po ashtu, brenda 60 ditëve të miratohet Projektligji për pensionim të parakohshëm të zyrtarëve policorë, kurse nga 1 janari 2024 të mbulohet pagesa e sigurimit shëndetësor për zyrtarët policorë”.
“Marrë parasysh situatën në të cilën jemi, shpresojmë dhe besojmë që të gjithë kolegët deputetë do ta përkrahin këtë rezolutë, duke e përçuar mesazhin se fuqizimi i Policisë së Kosovës është prioriteti ynë i përbashkët”.