Kontestimin e seancës së fundit të Kuvendit të Kosovës në Gjykatën Kushtetuese nga PDK-ja po e shohin të dëmshme në Grupin Parlamentar të LVV-së, ndërsa njohësit e Kushtetutës e konsiderojnë si të çuditshme.
Pas dërgimit dje në Kushtetuese seancën e 13 korrikut, deputetja nga radhët e LVV-së, Jeta Statovci, thotë se halli i fundit i PDK-së është qytetari, kurse kauza e tyre e vetme është qeveria.
“Ka tendenca që opozita e mbetur pa kauzë politike, po radikalizon veprimet duke tentuar të pengojnë çdo gjë, pa konsideruar mirë mjetet. Sulmuan me grushte institucionet, u përbetuan se do ta pengojnë punën normale të kuvendit dhe se këto iniciativa janë pjesë e kësaj politike që kanë vendosur t’i ndjekin ata. Kjo në thelb dëmton interesin e përgjithshëm qytetar, e padyshim dhe ligje me rëndësi që rregullojnë mirëqenien qytetare e procese për funksionim të institucioneve. Por, e kemi thënë shpesh, e po vërtetohet në vazhdimësi, halli i fundit i tyre është qytetari. Kauza e tyre e vetme jemi ne, deklaron Statovci për Bota sot.
Jeta Statovci
Pushtetet e ndara
Sipas saj, Kushtetuesja nuk duhet të jetë adrës për çdo veprim të mazhorancës.
“Pushtetet janë të ndara, unë i gjykoj si veprime puro politike këto, por çështjet juridike kanë adresën e veçantë në rendin tonë kushtetues, ndonëse nuk e di sa është e zakonshme që Kushtetuesja të bëhet adresë për secilin veprim të mazhorancës, si politikë destruktive, thënë më troç”, thotë ajo.
Baraliu: Të respektohen rregullat e Kuvendit
Nga ana tjetër, profesori i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu, e vlerëson si të çuditshëm faktin që punimet e një seance të dërgohen komplet si pako në Gjykatën Kushtetuese.
Sipas tij, në fund Gjykat vendos se si do të veprojë për rastin në fjalë.
“Është çështje e Gjykatës se si do të veprojë. Unë personalisht mendoj që do të duhej domosdoshmërish edhe Kryesia e Kuvendit edhe kryetari i saj edhe shumica, pra koalicioni qeverisës t’i respektojnë rregullat e rregullores së punës së kuvendit edhe opozita të bëjë të njëjtën gjë, për arsye se pikërisht edhe pozitë edhe opozitë pas diku 10 vite përafërsisht kanë bërë përpjekje që ta ndryshojnë e plotësojnë rregulloren, nuk kanë arritur nuk janë pajtuar, tani shpejt e lehtë disi janë pajtuar pa zhurmë dhe bashkërisht e kanë miratuar ndryshim plotësimin e rregullores së punës së kuvendit. Prandaj mendoj që do të duhej të mendonin edhe njëra palë edhe tjetra, e para pozita që e mbajti mbledhjen ashtu se a i ka zbatuar rregullat dhe standardet e rregullores, por edhe opozita nëse nisë. Por të dërgosh një pako, një seancë procedurale pa e përcaktuar se çka dhe e tëra të dërgohet atje, sepse atje ka pasur sigurisht edhe çështje që janë miratuar që nuk mund të jenë objekt as i interesimit dhe as i ankimimit të opozitës, disi po me duket e pazakonshme dhe e çuditshme”, deklaron Baraliu për Botasot.
Mazllum Baraliu
“Kryetari i Kuvendit, ka bërë shkelje kushtetuese”
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka njoftuar dje se kanë dërguar për vlerësimin e kushtetutshmërisë, caktimin e seancës së 13 korrikut të Kuvendit të Kosovës, në Gjykatën Kushtetuese.
PDK po kërkon që seanca e javës së kaluar të anulohet në tërësi, përfshirë edhe vendimet që janë marrë.
“Si palë e autorizuar pranë Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, kemi parashtruar kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit për caktimin e Seancës Plenare të datës 13 korrik 2023 të Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, me kërkesën që i njëjta në tërësi të anulohet”, ka njoftuar Tahiri.
Sipas Tahirit, seanca e javës së kaluar ishte caktuar në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit dhe siç ka thënë ai, kryeparlamentari ka bërë shkelje kushtetuese në dy drejtime.
“Si parashtrues të këtij rasti, vlerësojmë se, Kryetari i Kuvendit, ka bërë shkelje kushtetuese në dy drejtime: e para, në mos-përmbushjen e afatit për thirrjen dhe caktimin e seancës plenare dhe, e dyta, duke mos e vendosur për miratim rendin e ditës të kësaj seance – në mungesë të konsensusit të Kryesisë si rezultat i mungesës së kuorumit të nevojshëm, përkatësisht dështimit të mbajtjes së mbledhjes së Kryesisë”- është shprehur Tahiri.
“Si i tillë, ky vendim ka prodhuar pasoja kushtetuese dhe ligjore sepse ka rezultuar me mbajtjen e seancës plenare të ftuar sipas një procedure jokushtetuese, në të cilën janë miratuar ligje dhe projektligje si dhe vendime të tjera për zgjedhjen/shkarkimin e bartësve të institucioneve kushtetuese dhe institucioneve të pavarura”, shton ai.
Më tej, deputeti i PDK-së thotë se kanë kërkuar nga Kushtetuesja edhe një masë të përkoshme që deri në vendimin përfundimtar “të pezullohet efekti i të gjitha vendimeve që kanë rezultuar nga kjo seancë jokushtetuese”.
“Krahas kërkesës për anulimin e kësaj seance dhe vendimeve që janë marrë në të, kemi kërkuar edhe Masë të Përkohshme, që deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, të pezullohet efekti i të gjitha vendimeve që kanë rezultuar nga kjo seancë jokushtetuese”, ka deklaruar Tahiri.