Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

PDK-ja tenton t’i formojë dy komisione – Një për Gani Jakupin e tjetrin për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit

 
   

Të enjten e ardhshme, Kuvendi i Kosovës do të mblidhet për një seancë plenare, ndërsa opozita do të tentojë t’i formojë dy Komisione Hetimore. Njëri ka të bëjë me pagën e Gani Jakupit e tjetri për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit.

Kështu ka bërë të ditur shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Propozimin për formimin e komisioneve, tha Tahiri e ka bërë PDK-ja, me ç’rast pret përkrahje edhe nga partitë tjera.

“Vendosem për seancën e radhës të mbahet ditën e enjte. Kemi propozuar themelim e dy Komisioneve Hetimore, njërin që të bëhet hetim në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Për degradimin që është bërë në të, për rastin e Gani Jakupit ku është paguar me një pagë që kalon çdo limit. Kemi informacione që ka angazhim edhe të tjerëve si rastin e Jakupit. Çështje tjetër është edhe Komisioni Hetimor për humbjen  e mostrave të Astrit Deharit në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Ku do të bëjë një hetim parlamentar mbi zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit”, tha ai.

Ai ka thënë se si PDK ende nuk ka ndryshuar qëndrim sa i përket marrëveshjeve ndërkombetare dhe paralajmëroi se nuk do t’i votojnë ato.

“Marrëveshjet ndërkombëtare janë vendosur në kuadër të kësaj seance. Deri tani nuk ka ndryshuar asgjë që PDK që t’i votojë ato. Nëse ndryshon diçka do të njoftoheni. Vendi ynë është duke e thelluar krizën më ndërkombëtarët”.