Në selinë e Partisë Demokratike të Kosovës, është mbajtur sot takimi i përbashkët i Kryesisë dhe Grupit Parlamentar të PDK-së, ku u diskutua për situatën e sigurisë në vend, zhvillimet politike dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet Republika e Kosovës.
Në raport me situatën e sigurisë në vend, Partia Demokratike e Kosovës, edhe një herë, shprehë mbështetjen e plotë dhe mirënjohjen më të thellë për të gjitha institucionet e sigurisë, posaçërisht për Policinë e Kosovës, e cila ka bërë dhe po bën një punë të jashtëzakonshme dhe shumë profesionale në terren.
Për PDK-në, tashmë është krejtësisht e qartë se organizimi dhe orkestrimi i sulmit terrorist ndaj Republikës së Kosovës, adresën kryesore e ka në Beograd.
Pjesëmarrja dhe udhëheqja e këtij sulmi nga Millan Radojçiq, miku dhe bashkëpunëtori i ngushtë i presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili sot po strehohet dhe po vepron i lirë në Serbi, vërtetojnë një gjë të tillë. Prandaj, edhe sot, u bëjmë thirrje aleatëve tanë ndërkombëtarë që të rrisin presionin ndaj Serbisë për t’i dorëzuar tek autoritetet kosovare, të gjithë terroristët të cilët Serbia i ka marrë në mbrojtje.
PDK kërkon veçanërisht nga Bashkimi Evropian, që të marrë masa ndëshkuese ndaj Serbisë, tashmë kur dëshmitë për përfshirjen e Serbisë në sulmin terrorist kundër Kosovës janë të bollshme.
PDK vlerëson se vendosja e mijëra trupave ushtarake serbe rreth e përqark kufirit me Kosovën, tregon qartë se synimet destabilizuese të Serbisë kundrejt vendit tonë nuk kanë përfunduar. Në këtë kontekst, PDK kërkon koordinim më të madh të Qeverisë së Kosovës me aleatët strategjikë, para së gjithash me SHBA-në.
Në të njëjtën kohë, PDK është mirënjohëse për përkushtimin dhe mbështetjen e aleatëve tanë ndaj Republikës së Kosovës në këtë situatë të vështirë për shtetin dhe popullin tonë.
Për PDK-në, interesi nacional i vendit mbetet mbi të gjitha, e posaçërisht në periudha sfiduese si kjo, kur është cenuar integriteti territorial, sovraniteti i shtetit tonë dhe siguria e qytetarëve tanë.