Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Pediatria në QKUK bëhet me rezonancë magnetike

PËRGATITI: SARA SHEHU 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, kanë përuruar rezonancës magnetike në Spitalin e Pediatrisë në QKUK. Gjatë përurimit Kurti e Vitia premtuan se në shëndetësi do të ketë investime të reja.

Në Spitalin e Pediatrisë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, është përuruar rezonanca magnetike, e cila do të shërbejë për diagnostikimin e shpejtë të sëmundjeve që i prekin fëmijët.

Kjo rezonancë magnetike, që është donacion nga Emiratet e Bashkuara Arabe, kap koston e mbi 1 milion eurove.

Me këtë rast, kryeministri Albin Kurti ka vizituar nga afër Pediatrinë, me ç’rast ka lavdëruar punën e Ministrisë së Shëndetësisë.

“Pas funksionalizimit të rezonancës magnetike në spitalin e Pejës, po e bëjmë këtë edhe në spitalin Pediatrik, këtu në QKUK. Ndërkaq, në vjeshtë do ta kemi edhe rezonancën magnetike në spitalin e Prizrenit. Në njërën anë, ne dëshirojmë që të kemi sa më shumë decentralizim të shërbimeve gjithnjë e më cilësore, të ketë diagnostikim sa më të mirë për të gjithë pacientë e të ketë gjithashtu edhe lista sa më të shkurtra për pacientët. Meqenëse shërimi dhe terapia varen shumë prej diagnostikimit sa më cilësor, sa më të thellë, kjo në njërën anë varet nga kuadri mjekësor, ndërkaq në anën tjetër edhe nga teknologjia moderne që është kjo rezonancë magnetike”.

Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se janë duke punuar maksimalisht për t’i reduktuar listat e gjata të pritjes.

“Është në vazhdën e punës të cilën jemi duke e bërë kohën e fundit realisht me një intensitet të shtuar për t’i shkurtuar edhe listat e pritjes në një anë dhe për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve”.

Vitia, me këtë rast, ka shpalosur edhe projekte të reja që pritet të funksionalizohen në klinikën e Nuerokirurgjisë.

“Janë edhe disa projekte të rëndësishme që janë duke u kryer. Deri në vjeshtën e këtij viti, përveç rezonancës në Prizren, edhe përveç pjesës diagnostikuese, janë edhe pjesë intervenuese ku vetëm në Neurokirurgji tani është në proces një projekt me teknologjinë më moderne, për intervenimin e shumë rasteve të cilat deri më tani për shkaqe të ndryshme, për shkak të mungesë së këtyre pajisjeve, fatkeqësisht pacientët tanë është dashur që të kërkojnë ndihmë jashtë institucioneve publike shëndetësore. Është bërë lista prej 42 milionë eurosh investime, e cila do të adresojë investime në infrastrukturë dhe në pajisje”.

Përurimin e kësaj rezonance e ka mirëpritur edhe menaxhmenti i SHSKUK-së.