E shtuna qe ditë tragjike për qytetin e Pejës. Atje për shkak të vërshimeve të mëdha, vdiqën nëna me djalin e saj 5 vjeçar dhe u lënduan dy persona tjerë.
Dëme të mëdha u shkaktuan edhe në infrastrukturë. Sot, kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri ka thënë që janë duke i pastruar rrugët, ndërsa ka treguar që i kanë pranuar rreth 160 kërkesa nga qytetarët për kompensim të dëmeve.
Të shtunën pas orës 20:00 në Pejë ka rënë shi aq sa ka rënë gjatë gjithë muajit qershor në këtë komunë. Si pasojë e reshjeve të mëdha, Peja është vërshuar, kështu duke çuar në humbjen e dy jetëve – nëna me djalin 5 vjeçar në lagjen “Asllan Çeshme”. Përpos tyre, lëndime pësuan edhe dy persona tjerë, të cilët më pas janë liruar nga spitali.
Mirëpo, dëme të mëdha ka pasur edhe në infrastrukturë, shumë rrugë janë bllokuar ndërsa ka pasur edhe ndërprerje të energjisë elektrike në disa lagje.
Për kompensimin e dëmeve të shkaktuara, komuna e Pejës pritet të dërgojë raport në Qeverinë e Kosovës. Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka thënë se janë duke i larguar mbeturinat nga rruga, ndërsa deri tani kanë pranuar 160 kërkesa nga qytetarët që t’u kompensohen dëmet e shkaktuara nga vërshimet.
“Janë duke u bërë përmirësime, sepse jemi duke i largu mbeturinat, jemi duke i la rrugët. Dy familje janë të zhvendosura ende, një shtëpi e vjetër që është në mbrojtje të shtetit dhe dy familje që janë afër këtu ku ka ndodhur tragjedia. Nuk e di, e kemi bërë komisionin, që merren me vlerësimin e dëmeve. Deri ma herët kanë qenë rreth 160 kërkesa nga qytetarët për kompensim të dëmeve, e tash po presim ende”, tha Muhaxheri për Express.
Ndërsa, nënkryetari, Fatmir Asllani, ka thënë se ka afat 10 ditë për qytetarët që t’i dorëzojnë kërkesat për kompensim të dëmeve.
“Është formuar komisioni. Secili qytetar duhet të bëjë kërkesë për kompensim të dëmit. Dje për gati 1 orë, kanë qenë diku rreth 60 ankesa. Në fund të ditës e marr raportin se sa kërkesa kanë ardhë, më pas komisioni del dhe e bën vlerësimin e dëmeve. Tash është vështirë me dhënë një vlerë reale, derisa të kryhet. Afati është 10 ditë që t’i sjellin kërkesat për kompensim të dëmeve”, tha ai.
Ndërkaq, dje Muhaxheri, ka thënë se ende rrugët e qytetit janë të mbuluara nga balta dhe zhavorri. Prandaj, ai ka kërkuar nga qytetarët që ta kufizojnë daljen me vetura.
“Prandaj, kërkoj me mirësjellje prej të gjithë qytetarëve, që nesër me datë 27 qershor 2023, ta kufizoni lëvizjen me vetura nëpër rrugët e qytetit. Kjo kërkesë vjen si masë parandaluese për të shmangur pengesat dhe dëmtimet e mundshme të veturave gjatë procesit të pastrimit të rrugëve.”
Si ndodhi vdekja e dyfishtë në Pejë?
Fatmir Asllani, nënkryetar në komunën e Pejës, të dielën ka thënë se ekipet kanë qëndruar deri në 05:00 të mëngjesit të sotëm duke verifikuar nëpër veturat që ranë në kanal se mos ka persona të zhdukur.
“Ne deri në orën 05:00 në mengjës kemi qenë me të gjitha ekipet emergjente në terren, ka ardhe edhe FSK-ja dikur, pasi janë gjetë kufomat kanë ardhë edhe prej Ministrisë së Punëve të Brendshme, zv.ministri i MPB-së, kemi verifiku a ka të lënduar, në ato momente interesimimi ynë ka qenë veç a ka njerëz të lënduar, mos ka të zhdukur. Kemi pa shumë dëme materiale, makina e te tjera, por në ato momente nuk na bike në sy asgjë para njerëzve, ishim të interesuar mos ka edhe të tjerë të lënduar sepse ka pasur edhe disa vetura që kanë ra në kanal, ato i kemi verifiku një nga një, mos ka njerëz në ato vetura dhe fatmirësisht nuk ka pasur të tjerë”, deklaroi Asllani të dielën.