Greqia nuk e ka pranuar ndihmën e ofruar nga Shqipëria për të dërguar forcat zjarrfikëse vendase për fikjen e zjarreve masive afër qytetit të Aleksandropulisit.
Pak para nisjes së forcave shqiptare drejt Greqisë, mësohet se Sistemi Europian i Mbrojtjes Civile lajmëroi që nevojat për ndihma tokësore ishin përmbushur nga vendet e tjera të BE-së.
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, deklaroi se i ishte përgjigjur kërkesës së mëhershme për ndihmë.
“Një ekip me 58 efektivë dhe 10 mjete nga Forcat e Armatosura dhe strukturat e tjera operative të Sistemit të Mbrojtjes Civile Shqiptare, më konkretisht, strukturat zjarrfikëse nga Bashkia Korçë, Dropull, Maliq dhe Gjirokastër u dislokuan në afërsi të shtetit fqinj, në ndihmë të kolegëve grekë, në pritje të konfirmimit nga pala greke për ndërhyrje në zonat ku ata kanë nevojë. Ndërkohë, pas kësaj, nga pala greke jemi njoftuar se nuk është më e nevojshme ndërhyrja me modulet tokësore të ofruar nga Shqipëria për shkak se ato janë plotësuar nga vende të tjera,” njoftoi Ministria e Mbrojtjes.
Deri tani, zjarret në Greqi u kanë shkaktuar jetën të paktën 18 banorëve të zonës dhe në ndihmë kanë ardhur zjarrfikës nga Qiproja, Rumania, Çekia, Kroacia, Gjermania dhe Serbia.
“Ministria e Mbrojtjes uron që situata e rëndë në vendin mik të kalojë sa më shpejt dhe sa më lehtë dhe mbetet e angazhuar për t’ju bërë krah miqve, partnerëve dhe fqinjëve në çdo rast kur kërcënimi bën të nevojshëm riafirmimin e parimeve që na bashkojnë,” shtoi ministri Peleshi me anë të njoftimit në Facebook.
Krahas tragjedisë së fundit, Greqia dhe Shqipëria fqinje po përjetojnë marrëdhënie të tendosura diplomatike, të cilat raportohet se bënë që të anulohet edhe pjesëmarrja e Shqipërisë në samitin me liderët e BE-së dhe rajonit të thirrur të hënën në Greqi.
Zyrtarë të lartë të qeverisë greke kanë paralajmëruar Tiranën se vendi po devijon nga proceset integruese si pasojë e qëndrimeve jo në pajtim me vlerat europiane, përkatësisht se po mban pa të drejtë në paraburgim Fredi Belerin, kryebashkiakun minoritar të zgjedhur, por të akuzuar të Himarës./Rtsh/
Tags: PeleshiZjarret ne GreqiZjarrfikesit