Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Pendarovski: Kurti mund të mbështesë kë të dojë në zgjedhjet e 8 majit

 
   

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka të drejtë të mbështesë persona dhe parti politike në zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut, njëjtë sikur mbështetje të tilla japin edhe partitë evropiane për subjekte të caktuara maqedonase.

Kështu ka deklaruar më 14 shkurt presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, duke komentuar raportimet në media se në zgjedhjet e 8 majit, Kurti do të mbështesë opozitën shqiptare, e cila përbëhet nga katër parti politike dhe disa mbështetës të Lëvizjes Vetëvendosje.

Në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, tri partitë shqiptare në opozitë në Maqedoninë e Veriut – Lëvizja Besa, Alternativa, Lëvizja Demokratike dhe më vonë kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari – paralajmëruan listë të përbashkët zgjedhore për zgjedhjet e 8 majit.

Bekim Qoku, nga Lëvizja Vetëvendosje, i cili ka edhe shtetësi maqedonase, tha se partia e tij do t’i bashkohet kësaj liste.

“Mbështetja e tij për shtetas të Maqedonisë [së Veriut] nuk është kontestuese pasi nuk bëhet fjalë për shtetas të huaj që do të garojnë në zgjedhje te ne, pasi kjo nuk lejohet. Të gjithë personat që përmenden këtu si njerëz të tij [Albin Kurtit], janë shtetas të Maqedonisë së Veriut dhe kanë të drejtë të marrin pjesë në zgjedhje”, ka deklaruar Pendarovski.

“Kurti mund t’i japë mbështetje politike kujt të dojë, pasi një gjë të tillë me vite e vite e kanë bërë, sikurse partia evropiane e socialistëve duke mbështetur partitë e majta, njëjtë sikur edhe partia popullore evropiane që u jep mbështetje partive të djathta në Maqedoni [të Veriut]”, ka deklaruar presidenti maqedonas.

Pendarovski nuk e ka komentuar një deklaratë të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 11 shkurt se kryeministrit Albin Kurti, “dëshiron të udhëheqë edhe me Maqedoninë e Veriut”.

“Atje ka zgjedhje. Ai (Kurti) dëshiron të udhëheqë edhe me Maqedoninë e Veriut. Po, seriozisht. Dëshiron ta fitojë Ali Ahmetin dhe BDI-në, që pas zgjedhjeve të majit, të udhëheqë me Maqedoninë”, kishte deklaruar Vuçiq.

Pendrovski ka thënë se “nuk dëshiron të komentojë deklarata të burrështetasve që bëhen për agjenda të tyre”.

VMRO DMNE-ja opozitare maqedonase ka shprehur “befasi” nga heshtja e institucioneve lidhur me “përzierjen e Kurtit në punët e brendshme të Maqedonisë[së Veriut]”.

Një tjetër reagim më 17 janar kishte bërë ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, duke thënë se “përfshirja e politikës zyrtare të Kosovës në skenën politike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, mund të reflektohet në fragmentimin e politikës shqiptare – tendencë e nxitur nga faktorë të jashtëm”.

Nga Lëvizja Vetëvendosja kanë deklaruar se VV-ja nuk do të marrë pjesë si subjekt politik në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut pasi nuk është e regjistruar si parti politike në këtë shtet.

Sipas Kodit Zgjedhor të Maqedonisë së Veriut, në zgjedhje mund të marrin pjesë vetëm partitë e regjistruara në regjistrin qendror. Ndërsa, lista zgjedhore mund të përmbajë emrin e ndonjë koalicioni, siç është edhe Lidhja Evropiane për Ndryshim, por në brendi të saj duhet të theksohen emrat e partive politike që përbëjnë koalicionin.

Mbështetësit e Lëvizjes Vetëvendosje mund të garojnë në lista të përbashkëta me opozitën, në ndonjërën nga partitë politike, apo si individë, pa e përmendur emrin e Vetëvendosjes./REL