Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Pensionohet Komandanti i Gardës Kombëtare të FSK-së

 
   

Sot është pensionuar Komandanti i Gardës Kombëtare të Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjeneral brigade Naim Haziri.

Në këtë ceremoni që është mbajtur në ambientet e Kazermës “Evropianet e Rinj” në Pomozotin, në shenjë mirënjohje dhe respekti për kontributin e dhënë, gjeneral Haziri është shpërblyer me medalje për shërbim nga Ministri i Mbrojtjes dhe Komandanti i FSK-së.

Në këtë ceremoni ka marrë pjesë Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, zëvendëskomandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjeneral major Enver Cikaqi dhe zyrtarët tjerë FSK-së.

Ministri Maqedonci ka vlerësuar lart kontributin e gjeneral Hazirit.

“Ne sot nuk mund t’ia shtrëngojmë dorën heroit Zahir Pajaziti, por kemi mundësi që të t’ia shtrëngojmë dorën bashkëluftëtarit, shokut të idealit të Zahirit, gjeneral Naim Hazirit”, ka thënë ministri.

Kurse, zëvendëskomandanti i FSK-së, gjeneral major Enver Cikaqi ka thënë se Haziri ka qenë një shembull.

“Gjeneral Haziri është shembulli më i mirë i angazhimit të pakursyer mbi tri dekada, që nga UÇK, TMK dhe FSK, në ngritjen dhe avancimin institucioneve të sigurisë në vend”, është shprehur ai.

Në adresimin e tij, gjeneral brigade Naim Haziri ka falënderuar të gjithë të pranishmit në ceremoni dhe gjithë ata që pati rastin të punonte përgjatë 32 viteve shërbim në rrugën për çlirim dhe shtetndërtim.