Trendi i ikjes së mjekëve dhe infermierëve nga Kosova po vazhdon çdo ditë.
Pagat e ulëta, kushtet jo atratikve të punës e mungesa e specializimeve thuhet se janë faktorët kryesorë të ikjes së punëtorëve shëndetësorë nga vendi.
Shifra alarmante janë regjistruar sa i përket ikjes së mjekëve këtë vit.
“41 mjekë gjatë këtyre muajve të vitit 2024 janë larguar nga puna për të shkuar jashtë vendit”.
Kështu ka bërë të ditur kreu i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu.
Njëra ndër arsyet e ikjes së mjekëve, sipas Sejdiut është çështja e pagave.
Ai ka thënë se ka shumë arsyeje që çojnë profesionistët deri në largimin e vendit.
“Arsyet e mjekëve janë të shumta që po largohen nga vendi i punës. Vitin e kaluar përmes një sondazhi është bërë e ditur se kanë qenë kushtet e punës, kualiteti i specializimeve dhe paga. Por këtë vit ka ndryshuar ky sondash dhe është arsyeja e parë është mundësia e punësimit e dyta është çështja e pagave dhe e treta kushtet e punës“, u shpreh Sejdiu.
E fenomeni i largimit të profesionistëve shëndetësorë nga sistemi shëndetësor publik i Kosovës është paraqitur tash e disa vite, ku mjekët dhe infermierët destinacionin kryesor për të ushtruar profesionin e tyre e kishin Gjermaninë.
Në Kosovë, paga e një mjeku specialist sipas Ligjit për Paga arrin në 1320 euro bruto, përderisa në Gjermani të njëjtëve po u ofrohen paga mbi 5000 euro dhe kushte shumë më të favorshme në punë.