Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Për një vit tre persona u dënuan për krime lufte, kërkohet fuqizimi i departamentit

 
   

Në bankën e të akuzuarve për krime lufte u gjenden disa persona.

Por brenda vitit 2023, vetëm tri procese gjyqësore ndaj të akuzuarve për krime lufte në Kosovë, përfunduan me aktgjykime të plotfuqishme.

Kjo u bë e ditur në këtë hulumtim, të publikuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë.

“Gjatë vitit të kaluar, me vendim të plotfuqishëm janë dënuar tre persona, pra është Svetomir Baçeviq, i cili është dënuar për krime të luftës kundër popullatës civile, për marrje peng të një gruaje të moshuar. Pastaj është dënuar Remzi Shala për krime të luftës kundër popullatës civile dhe Zoran Vukotiq, për veprën penale dhunim, si krim i luftës”, ka thënë Amër Alija, nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë.

E ndjekja e atyre që kryen krime lufte në Kosovë, mbetet kompetencë e Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Numri i prokuroreve të angazhuar në këtë drejtim, ka mbetur në vetëm tre.

“Aktualisht, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka tre prokurorë të profilizuar për ndjekjen dhe hetimin e krimeve të luftës, nga katër sa ishin deri tani, për shkak se prokurorja Drita Hajdari ka dalë në pension”, ka treguar për teve1, Bedri Gashi – u.d. udhëheqës i njësisë për komunikim publik në KPK.

Amër Alia nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, thotë se ky numër i prokuroreve special në këtë departament, nuk është i mjaftueshëm.

“Në mendojmë që ky departament duhet të fuqizohet, jo vetëm më prokurorë por edhe me staf profesional, analistë e bashkëpunëtor, të cilët do t’i asistojnë Prokurorisë Speciale në hetimin dhe ngritjen e aktakuzave”, thotë ai.

Se Prokuroria Speciale ka mungesë të konsiderueshme të kapaciteteve, e thotë edhe njohësi i çështjeve juridike, Ardian Bajraktari.

Por, megjithëkëtë, Bajraktari shton se viti 2023, ishte mjaft efikas në një drejtim.

“Viti 2023 në bindjen time, ka qenë vit efikas në drejtimin e adresimit të kësaj problematike, për faktin se kemi një numër të konsiderueshëm të aktakuzave të ngritura, tetë prej të cilave janë vetëm për gjykim në mungesë dhe shpresoj që prokuroria t’i ketë bërë përpjekjet maksimale në drejtim të përmbushjes të obligimeve ligjore”, ka vlerësuar Bajraktari.

Ndryshe, në hulumtimin e Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, është evidentuar se procedurat gjyqësore për krimet e luftës janë kryer brenda një kohe të arsyeshme.