Familja e veprimtarit të vrarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës Haki Imeri, ka komentuar zërat se ka mosmarrëveshje mes krerëve të shtetit të Kosovës.
Ajo ka mohuar se ka përçarje mes presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti, përcjell Bota sot.
Sipas kësaj familjeje, lufta për pushtet e ka vërbuar opozitën, sidomos Partinë Demokratike të Kosovës.
“Në mes njerëzve, partive, mund të ketë mospajtime dhe kjo është e natyrshme, perndryshe do të quhej diktaturë e jo demokraci.
Sa u përket hastretxhinjëve dhe thashethemegjinjëve të kotë që vetëm me kotësira merren dhe me shpifje, le ta lexojnë drejtë situatën:
Në mes Presidentes Osmani dhe Kryeministrit Kurti nuk ka përçarje.
Është me rëndesi të ceket se lufta për pushtet e opozitës e ka vërbuar të gjorën e sidomos këtë pjesën e SHIK-ut-PDK-në.
Paramendojeni se ku ka vajtur opozita, kryeministri me një darkë, me një darkë, i bëri pikë e pesë”, ka shkruar familja Imeri, në një postim në Facebook.
Gjatë javës së kaluar pati një përplasje në distancë mes presidentes së Republikës, Vjosa Osmani, kryeministrit Albin Kurti, kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca dhe Ministres së Jashtme, Donika Gërvalla.
Shkak për këtë u bë letra që kjo e fundit i dërgoi Këshillit Evropian me zotimin që do të dërgojnë në Kushtetuese, draft statutin për Asociacionin, letër që nuk u mor parasysh nga Këshilli Evropian, ku Kosova dështoi të bëhet pjesë e këtij mekanizmi evropian.
Osmani deklaroi se nuk kishte asnjë dijeni për letrën e dytë që qeveria e Kosovës i dërgoi Këshillit të Evropës dhe këtë e konsideroi të papranueshme.
“Jemi në vitin 2024 ku telefonat funksionojnë shumë mirë pavarësisht në cilën zonë kohore jemi dhe në të njëjtën kohë të gjitha komunikimet tona deri tani në këto tri vite e gjysmë të bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e politikës së jashtme kane qenë pikërisht përmes telefonit sepse dikush nga institucionet gjithnjë ka qenë jashtë vendit dhe të thuhet që një informatë kaq fondamentale për një proces kaq kapital që e ka ndryshuar në tërësi qëndrimin që ne e kemi mbajt deri atë ditë. Të gjitha kanë rënë në ujë me ofertën që është bërë atë ditë sepse ajo ofertë nuk ka qenë as për nga përmbajtja e as për nga procedura vazhdimësi e listës së zotimeve që e kanë nënshkruar të tre liderët”, tha presidentja Osmani, duke iu kundërpërgjigjur Kryeparlamentarit Glauk Konjufca, i cili kishte thënë se Osmani kishte qenë jashtë vendit.