Perëndimi ka “blinduar” ditën e djeshme Kosovën e rrezikuar nga skenarë destabilizues që thuren nga Moska dhe zbatohen nga Beogradi.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, njoftoi se është marrë vendimi për shtimin e numrit të forcave të NATO-s në Kosovë. Ky komunikim i shefit të NATO-s u bë publik dje pas mbledhjes së Këshillit të Atlantikut të Veriut ku u diskutua për situatën në Kosovë.
“Ne gjithmonë do të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë. Ne e bëjmë këtë në mënyrë të paanshme dhe në përputhje me mandatin tonë të OKB-së. Që nga maji, ne kemi përmirësuar praninë dhe qëndrimin e KFOR-it. Vetëm dje Këshilli i Atlantikut të Veriut autorizoi forca shtesë për të adresuar situatën aktuale.
Ne gjithmonë do të vazhdojmë të sigurohemi që komandanti ynë të ketë burimet dhe fleksibilitetin e nevojshëm që KFOR-i të përmbushë mandatin e tij. Ne jemi të gatshëm të bëjmë rregullime të mëtejshme në qëndrimin e KFOR-it sipas nevojës. KFOR-i vazhdon të koordinohet ngushtë me të gjitha palët relevante të interesit në Beograd dhe Prishtinë, si dhe me Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), OSBE-në, Misionin e OKB-së në Kosovë dhe komunitetin diplomatik.
U bëjmë thirrje të gjitha palëve që urgjentisht të de-përshkallëzojnë. Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, si mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të arritur zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve. Ky është çelësi për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin në rajon”, thuhet në deklaratë.
Reagon Kosova
Kurti, ka mirëpritur vendimin e NATO-s për të rritur numrin e trupave të saj në Kosovë.
Sipas tij, sulmi ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator ilustron përpjekjet e Serbisë për të destabilizuar Kosovën, me ndihmën e aleates së saj, Rusisë.
“Këta persona duan ta kthejnë kohën pas”, tha Kurti për Associated Press.
“Ata janë në kërkim të një makine për kthimin e kohës. Ata duan ta kthejnë kohën për 30 vjet pas. Por, kjo nuk do të ndodhë”.
I pyetur nëse autoritetet e Kosovës kanë ndonjë informacion të inteligjencës për sulmet e reja, Kurti u përgjigj se ka shumë informacione dhe se këto “grupe të armatosura”, të cilave, siç shtoi ai, Forcat e Armatosura të Serbisë u ofrojnë pajisje, armë dhe municion, janë duke kryer vazhdimisht stërvitje në afërsi të kufijve të Kosovës dhe “po përgatiten për luftë”.
“Nuk përjashtohet ri-agresioni”, ka thënë ai, duke shtuar se Serbia donte që lufta të fillonte të dielën. Ai akuzoi Beogradin dhe grupet e armatosura se duan të përsërisin skenarin e fillimit të luftës në Sarajevë.
Kryeministri i Kosovës e akuzoi Vuçiçin se “deshi një luftë tjetër dhe një gjenocid, sepse dëshiron Republikën Srpska në Kosovë”.
Çfarë po ndodh në Serbi
Nga ana tjetër Milan Radojiçiç ka dhënë dorëheqjen nga posti i nënkryetarit të Listës Serbe, duke pranuar edhe pjesëmarrjen në sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë.
Avokati i tij duke bërë të ditur vendimin ka lexuar edhe një letër të tij, ku pranohen akuzat e ngritura më parë nga ministri i Brendshëm i Kosovës Xhelal Sveçla.
Por ai shton se arsyeja e kthimit ishte inkurajimi i serbëve, popullit të asaj zone, sipas tij për t’i rezistuar terrorit të regjimit të Kurtit.
Për qëndrimin e tij ka reaguar dhe presidenti serb. Përmes një deklarate, Vuçiç tha se “e ka parë versionin e shkurtuar” të deklaratës së Milan Radoiçiçit dhe ka përsëritur se ai do të duhet t’i përgjigjet ftesës së autoriteteve shtetërore.
“Unë thjesht do të lexoj letrën. Jam i sigurt që autoritetet duhet të bëjnë pyetje, nëse prokurori do ta ndjekë penalisht, kjo nuk është një pyetje për mua. Çdo gjë shkon sipas procedurës. Nëse dikush mendonte se ai do të ikte apo do të fshihej, kjo nuk ndodhi.
Ai është krenar për atë që ka bërë. Nuk mendoj se dikush ka të drejtë të vrasë dikë, do të duhet të bëhen disa pyetje, ndoshta ai nuk ka marrë pjesë në atë akt, kjo është një pyetje e prokurorisë. Unë di që policia duhet të mbledhë informacione, pastaj vjen prokurori dhe merr vendim”, ka thënë Vuçiç.