Kuvendi i Kosovës e ka miratuar të enjten e kaluar projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti, i cili do t’ua njohë mijëra qytetarëve të drejtën e pensionit kontribut-pagues.
Këtë po e mirëpret Njazi Gashi nga Shoqata e Pensionistëve të Kosovës, por ai ka një varg kritikash tjera për ligjin, për të cilin thotë se kurrkush nga Qeveria nuk i konsultoi.
“Çështja e pensioneve zgjidhet me themelimin e fondit për sigurime pensionale. Kjo i bjen që gjenerata të punoje për gjeneratat, gjenerata juaj tash të ndajë mjete për pensionet e pensionistëve të tanishëm që pastaj të rinjtë e juaj të ndajnë mjete për pensionet e juaja. Gjeneratë pas gjenerate”, u shpreh Gashi.
Ai pohon se Qeveria po i injoron totalisht si kategori, ani se derdhën djersë për vendin.
“Qeveria nuk komunikon me neve, nuk na përgjigjet në e-mail, nuk na pranojnë në takim, na injorojnë në mënyrë absolute. Shuma e mjaftueshme do të ishte, mesatarja, vlera e pagës minimale, 264 euro”.