Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Përfaqësuesja shqiptare e Maqedonisë përmend familjen Jashari në seancën ku po diskutohet anëtarësimi i Kosovës

 
   

Arta Bilalli-Zendeli, përfaqësuesja shqiptare e Maqedonisë së Veriut në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës, ka thënë se deklaratat kundër anëtarësimit të Kosovës kundërshtojnë qëllimin kryesor të Këshillit të Evropës (KiE) që është parandalimi i luftërave.

Ajo i është përgjigjur disa anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme të KiE të cilët thanë se anëtarësimi i Kosovës do të krijonte konflikte të reja.

“Si shqiptare e Maqedonisë, e ndiej këtë temë si shumë të rëndësishme. Nuk pajtohem me opinionet e tipit që ky anëtarësim do të krijonte konflikte të reja në Evropës. A është krijuar ky Këshill për të parandaluar luftërat në Evropë? Prandaj këto komente nuk tingëllojnë aq mirë, kundërshtojnë qëllimin kryesor të Këshillit të Evropës. Ky anëtarësim do ta nxisë edhe dialogun sepse tani kemi dy palë të barabarta në dialog. Pra, barazia është vlerë themelore e KiE”, ka thënë Bilalli-Zendeli, e cila ka vlerësuar raportin pozitiv të raportueses për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyannis.

“Ish-ministrja e Francës në vitin 1999 pati thënë se po të kishte çmim Nobel për liri do t’i jepej familjes Jashari nga Prekazi i Kosovës, 56 anëtarët e së cilës janë vrarë për një ditë të vetme. Çmimi nuk iu dha familjes Jashari, por duke përkrahur këtë raport, do t’i japim atdheut të tyre një vend në tryezën evropiane, në familjen e madhe evropiane aty ku e kanë vendin”, ka shtuar ajo.