Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Përfundimi i mandatit të Lajçakut, Pahor e konfirmon: Dua të zëvendësoj Lajçakun për dialogun Kosovë-Serbi

Ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, ka konfirmuar për agjencinë sllovene të lajmeve STA se është i interesuar për pozicionin e të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Mandati i Miroslav Lajçak përfundon në gusht.

Gazeta sllovene “Delo” raportoi dje se ish-presidenti i Sllovenisë mund të jetë i dërguari i ri i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, dhe Borut Pahor e konfirmoi këtë sot.

Ai i tha agjencisë STA se është i interesuar të zëvendësojë Lajçakun.

Paraprakisht, kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob, ka deklaruar se e mbështet pa kushte Pahorin në kandidaturën e tij për postin e Përfaqësuesit Special të BE-së për Dialog dhe ka shtuar se për këtë muajin e kaluar ka zhvilluar bisedime të shumta bilaterale me liderët e vendeve evropiane, si dhe me përfaqësuesit më të lartë të Bashkimit Evropian.

I dërguari special, merret edhe me çështje të tjera rajonale në Ballkanin Perëndimor, propozohet nga përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikën e jashtme.

Këtë detyrë e ushtron Josep Borrell, dhe vendimin përfundimtar e merr Këshilli i BE-së ose shtetet anëtare.

Pahor nga viti 2012 deri në vitin 2022, ishte president i Sllovenisë, dhe së fundi me ish-shefen e tij të kabinetit, Alja Brglez, themeloi Institutin e Miqve të Ballkanit Perëndimor (FOVB), qëllimi i të cilit është të promovojë dialogun, pajtimin, zgjidhjen paqësore të çështjeve të hapura, zhvillimin ekonomik dhe integrimin e vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian.