Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Përfundon dëshmia e ish-ushtarakut amerikan në rastin Thaçi dhe të tjerët

 
   

Kanë përfunduar kundërpyetjet e mbrojtjes për dëshmitarin, Steven Russell, në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në seancën e sotme ka vijuar dëgjimi i dëshmitarit, i cili është shoqëruar nga përfaqësues të qeverisë amerikane. Pas marrjes në pyetje nga mbrojtja e Thaçit dhe Veselit dje, në seancën e sotme ky dëshmitar është marrë në pyetje nga mbrojtja e Selimit, Krasniqit dhe nga trupi gjykues. Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi kanë qenë të pranishëm në sallën e gjyqit, ndërkaq Jakup Krasniqi e ka ndjekur seancën përmes video-lidhjes.

Avokati i Rexhep Selimit, Eric Tully ka insistuar në pyetjet për dëshmitarin e ZPS-së lidhur me kartat identifikuese të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe nëse kanë pasur kontakt me Ministrinë e Rendit Publik.

Tully: A është e drejtë që KFOR-i nuk ka qenë në kontakt me këtë ministri?

Tully: A është e drejtë që KFOR-i nuk ka qenë në kontakt me këtë ministri, me sa keni ju dijeni, dhe nuk e dinte se kush kishte e kush nuk kishte kartela të tilla identifikimi?

Russell: Sikur po ju thoja, udhëzimet tona ishin këto: kartelat që nuk janë nga IOM-i apo nga komisioni për zbatimin e përbashkët apo Kombet e Bashkuara, duheshin sekuestruar. Nëse kishin lidhje me UÇK-në, qoftë kjo nga ministritë apo funksionet civile, ne e kishim për udhëzim, kishim direktivë që t’i sekuestronim, t’i merrnim këto.

Tully: Pyetja ime ishte kjo, ju nuk keni qenë në kontakt me këtë ministri për të komunikuar me ta e për t’i pyetur kush kishte kartela të tilla identifikimi. Ju kishit vetëm për detyrë që t’i merrnit këto kartela?

Russell: Po, sipas marrëveshjes teknike ne kishim për detyrë t’i merrnim këto kartela identifikimi.

Tully: Ju po përgjigjeni me jo, ju nuk ishit kontakt me këtë ministri?

Russell: Nga perspektiva jonë ne kishim urdhra. Sipas marrëveshjes nuk ekzistonin institucione legjitime sepse atëherë ishte mandati i OKB-së ta kryente këtë detyrë.

Tully: Po e marrë si jo.

Russell: Ju po bëni një pyetje shumë të vështirë dhe doni një përgjigje të thjeshtë”, tha Russell.

Gjatë dëshmisë së tij dje, Russellit i është prezantuar një kartë, ku u tha se në të shkruhet “Ministria e Rendit Publik-letërnjoftim zyrtar”. Ish-ushtaraku amerikan tha se kanë sekuestruar shumë dokumente e kompjuterë.

Russell: Kemi sekuestruar shumë dokumente

“Kemi sekuestruar shumë dokumente me letra me kokë, kemi sekuestruar kompjuterë, kemi sekuestruar shumë dokumentacion. Por gjithashtu kemi gjetur edhe raporte që i kemi lexuar më vonë dhe shumë dokumente zyrtare sigurish që kishin një formë më të unifikuar”, shtoi ai.

Russell u pyet edhe lidhur me bastisjet që kanë kryer në fjetore dhe protestën e shqiptarëve rreth portës.

Tully: Bastisja që kryet ju nuk ishte e fshehtë

Tully: Bastisja që kryet ju në fjetore, nuk ishte e fshehtë kjo është e qartë.

Russell: Task-forca ‘Falcon’ kishte dijeni të plot për atë që po ndodhte.

Tully: E morën vesh edhe banorët e zonës dhe u mblodhën me qindra njerëz jashtë portës dhe krijuan një far prishje të rendit aty.

Russell: Nëse po thoni që ne deshëm të bënim teatër aty, atëherë kjo është një parashtrim i pasaktë. Ne deshëm që kjo bastisje të kryhet sa më shpejt, por kjo zgjati shumë sepse duheshin bërë fotografi dhe këto fotografi duhet të ju tregonim një prej viktimave të pretenduara. Pra, ne menduam se do të kishim përfunduar bastisjen brenda dy orësh, nuk kishim për synim të qëndronim, nuk kishim për synim të prishnim rendin publik në Gjilan atë ditë. Ne deshëm të hyjmë në fjetore dhe të largoheshim”, tha dëshmitari i ZPS-së.

Edhe avokati i Krasniqit, Aiden Ellis ka pyetur lidhur me bastisjen nga KFOR-i në fjetore dhe nëse ka parë dokumente të nënshkruara nga Ahmeti Isufi. Dëshmitari Steven Russell tha se ka qenë i pranishëm në këtë bastisje dhe e ka parë dokumentin, i cili i është dhënë nga Florim Kllokoqi.

Dëshmitari Steven Russell u pyet nga gjyqtari, Ginel Metro, nëse ushtarët e UÇK-së kanë pasur mundësi të raportojnë për ngjarjet që kishin ndodhur para KFOR-i të jetë në terren.

Russell: Ka pasur raportime nga ana e shqiptarëve dhe serbëve për varre masive

“Kishte raportime si nga ana e serbëve dhe e shqiptarëve që raportonin për varre masive dhe donin që ne t’i hetonim. Pra, gjëra të kësaj natyre. Raportonin për krime që kishin ndodhur edhe para se të mbërrinin forcat e NATO-s edhe thonin ‘ja këtu janë varrosur njerëzit’ ose ‘janë varrosur atje’. Jemi përpjekjur t’i hetojmë, ishte një lajm i madh për këdo që donte të hetonte varret masive të gjente vendndodhjen e këtyre varreve masive. Zakonisht këto raporte vinin nga fshatarët e zonës ose nga personat me të cilët kishim kontakte. Kemi marrë raportime të ngjashme edhe nga serbët edhe nga shqiptarët”, përfundoi ai.

Në gjashtë muajt e parë, siç shtoi ai, misioni i KFOR-it përpiqej që të mos digjeshin pronat edhe të mos vriteshin njerëzit.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka filluar më 3 prill të vitit 2023. Ish-krerët e UÇK-së po gjykohen për krime të pretenduara të luftës dhe po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.