“Agim Ramadani ishte një strateg i shkëlqyer ushtarak dhe një lider me vizion të qartë për një Kosovë të lirë dhe demokratike. Ai nuk e humbi kurrë besimin tek liria dhe drejtësia”, kështu ka deklaruar zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, në Akademinë Përkujtimore të organizuar nga Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih për komandantin Agim Ramadani.
Ajo tha se lufta e tij në Betejën e Koshares do të mbetet përgjithmonë një simbol i lavdisë dhe trimërisë në historinë tonë kombëtare.
Kjo akademi u mbajt në vendin ku heroi veproi për Kosovën dhe u nis për të luftuar deri në vdekje, në Betejën e Koshares, thuhet në njoftimin e MPJD-së.
Në mesin e qindra mërgimtarëve nga Zvicra, në akademi ishin të pranishëm edhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Zvicër, Mentor Latifi, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ish-komandanti i Brigadës “138 “Agim Ramadani, Rrustem Berisha, familjarë e bashkëluftëtarë të heroit si dhe përfaqësuesve të organizatave dhe shoqatave të ndryshme.
Para të pranishmëve ministrja Gërvalla tha se Agim Ramadani nuk ishte vetëm ushtarak, strateg dhe luftëtar i shkëlqyer, ai ishte një shpirt artisti, shkrimtar dhe piktor që kulturën dhe popullin e tij i donte me gjithë zemër.
“Atëherë kur Kosova pati nevojë, ai la pas jo vetëm Zvicrën, por edhe artin edhe vargun dhe mori armët, i bindur se liria është vlera më e lartë për të cilën ia vlen të luftosh”, tha ajo.
Ministrja Gërvalla më tej tha që në Betejën e Koshares, Agimi tregoi trimëri të pashoqe dhe strategji të jashtëzakonshme para se më 11 prill 1999, të vritet në ballë të frontit çlirimtar, aty ku përgjithmonë u hoq guri famëkeq i kufirit.
“Beteja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Koshare ishte dhe mbetet beteja e krenarisë dhe lavdisë, betejë e heronjve që jetësuan ëndrrën shekullore”, tha ministrja Gërvalla, e cila në fund tha se vepra, vendosmëria dhe trimëria e Agim Ramadanit dhe të gjithë heronjve që dhanë jetën për lirinë e Kosovës, do të jetë gjithmonë një udhërrëfyes për të ardhmen tonë.
Nga ana tjetër, bashkëluftëtarët e heroit Agim Ramadani, ndanë kujtime nga lufta e tyre çlirimtare duke e cilësuar heroin si një njeri me vlera të rralla njerëzore dhe i vendosur që të jetësojë amanetin e dëshmorëve për çlirimin e Kosovës, njofton MPJD.
Akademia përkujtimore u shoqërua me poezi të Agim Ramadanit, të lexuara dhe shoqëruara me pika të mrekullueshme muzikore nga këngëtarja shqiptare me reputacion të jashtëzakonshëm në Zvicër, Elina Duni si dhe instrumentist, Elmir Berisha.