
Përleshje fizike në mes shqiptarëve, serbëve e boshnjakëve në veri
Një përleshje fizike mbrëmë ka ngjarë në veri të Mitrovicës.
Siç mëson Dukagjini kur katër të mitur shqiptarë kishin hyrë në një rrjet të marketit shqiptar, disa të mitur të tjerë i kishin përcjell deri tek rruga “Vlade Cetkoviq”.
Katër të tjerët kanë qenë të nacionalitetit serbë e boshnjakë dhe gjithë kjo kishte përfunduar në përleshje fizike në mes këtyre dy grupeve.
Nga bashkëbisedimet që ka pasur televizioni me qytetarët për rreth, ata kanë thënë se mbrëmë nuk kanë dëgjuar diçka të pazakontë.
Gjithsesi, Policia është marr me rastin dhe ka pasur edhe arrestime.
“Kanë qenë një grup i katër personave fillimisht besojmë që kanë qenë në një lokal. E katër të tjerë dyshojmë që kanë qenë katër i kanë përcjell nga Car Lazari deri tek rruga e sujesë. Aty ka pas një përleshje. Në stacion të Policisë i kemi sjellë tre persona si viktima, mandej katër të dyshimit fillimisht. Pas intervistimit dhe marrjes se informatave tre i kemi liru menjëherë, i kemi marr tre të tjerë ndërsa sot i kemi marr edhe dy të tjerë si të dyshimtë”, ka thënë Veton Elshani, zv/drejtor i Policisë në veri.
Policia është në kërkim edhe të një personi tjetër i cili dyshohet që ishte përfshirë në këtë rast.
Ndonëse përleshja ka ndodhur ndërmjet nacionaliteteve të ndryshme, Policia e ka klasifikuar veprën penale “Prishje e rendit dhe qetësisë” por kanë edhe një mesazh për të gjithë.
“Ajo çka është mesazh nga ana e Policisë është që qytetarët duhet të kenë më shumë besim ne institucionin sesa në vetvete. Mos me provoku, njerëzit me i këqyr veprimet e veta”, ka shtuar Elshani.
Të dyshuarit e komunitetit serbë dhe boshnjakë kanë akuzuar PK-në se ndaj tyre ishte përdorur forcë por një gjë e tillë është mohuar nga Policia duke thënë se tashmë me këtë po merret Inspektorati Policor i Kosovës.