Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Përleshje në Qendrën e Transfuzionit të Gjakut, kërcet grushti mes dy mjekëve

Konfliktet e mosmarrëveshjet mes punonjësve shëndetësorë janë të shpeshta. E në raste më të këqija, ato eskalojnë edhe në dhunë, qoftë verbale apo fizike, ndaj njëri – tjetrit, duke bërë kështu që ndërhyrja e organeve të rendit të jetë e domosdoshme.

Për një rast të tillë ku dyshohet se janë përfshirë dy mjekë në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, Prokuroria ka nisur hetimet.

Dy mjekët, dr.Betim Morina dhe dr.Idriz Merovci, gjatë ditës së sotme janë përfshirë në një zënkë.E gjithë situata dyshohet të ketë dalë nga kontrolli, aq sa përpos mosmarrëveshjes verbale, mes tyre janë shkepur edhe grushte.

Në rast është dashur të intervenojnë edhe njësitë policore, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.

Gazeta ka kontaktuar specialistin e Transfuziologjisë, dr.Morinën, për të marrë një prononcim lidhur me rastin, mirëpo i njëjti ende nuk është përgjigjur në pyetjet e redaksisë.

Po ashtu, Sinjali ka kontaktuar edhe me Policinë e Kosovës për të marrë më shumë detaje për veprimet hetimore dhe masat ndaj dy personave të përfshirë, por ata kanë pohuar se nuk kanë informacione.