3 persona kanë humbur jetën orët e fundit nga vala e rëndë e motit të keq që po godet Italinë
Italia po përballet me një situatë tepër të vështirë, të krijuar për shkak të motit të keq. Shumë vende, nga veriu në qendër e në jug janë goditur nga përmbytje, që kanë shkaktuar edhe viktima.
Nisur nga kjo, bashkia e Tiranës është solidarizuar me Firencen dhe Toskanën, të cilat gjatë mbrëmjes së djeshme dhe ditës së sotme kanë pësuar përmbytje, si pasojë e motit të keq.
Përmes një postimi në rrjete sociale, kryebashkiaku Erion Veliaj u ka shprehur mbështetjen dy homologëve të tij italianë për çdo nevojë.
“Të gjithë në Tiranë jemi thellësisht të trishtuar nga lajmi i përmbytjeve dhe humbjeve të jetëve në Firence dhe në Toskanë. I shpreha solidaritetin vëllait tim, kryebashkiakut Dario Nardella dhe mikut/kryetarit Eugenio Giani. Lutemi që kjo katastrofë të kalojë sa më shpejt dhe jemi të gatshëm të ndihmojmë në çdo rast nevoje”, shkruan Veliaj.
Tre persona kanë humbur jetën orët e fundit nga vala e rëndë e motit të keq që po godet Italinë. Bëhet fjalë për dy të moshuar, 84 dhe 85 vjeç, të cilët po përpiqeshin të pastronin shtëpinë e tyre nga balta në Toskana,, ndërsa viktima e tretë, mosha e të cilit nuk dihet, jetonte në të njëjtin rajon, në qytetin e Livornos.
Jashtë Firences, lumi Bizenzio doli nga shtrati dhe autoritetet u kërkuan banorëve të zhvendoseshin në katet më të larta të shtëpive të tyre. Në qytetin e Pratos, një pjesë e spitalit është mbyllur.