Gazetari i medias gjermane Deutche Welle, Bahri Cani, ka reaguar për deklaratën e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, për raportet fqinjësore mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai i ka thënë Ramës, se raportet mes të dyja vendeve, mund të përmirësohen vetëm kur “ujku” e kupton se ku është mexha dhe ku është kufiri, përcjell Bota sot.
Sipas Canit, kryeministri Rama mund të luajë një rol të rëndësishëm në normalizimin e gjendjes, pasi ka komunikim të mirë me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.
Reagimi i Canit, në Facebook:
Çfarë thotë gjyshja e Ramës dhe cili është realiteti me “ujkun”?
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama edhe gjatë qëndrimit të djeshëm në Berlin e tha se me Serbinë duhet të kemi raporte të mira, por ka një problem shumë të madh, që “Serbia ende e injoron realitetin se Kosova është një shtet i pavarur dhe kthim nuk ka”. Megjithatë, kryeministri theksoi se, për të siguruar një të ardhme më të mirë për brezat e ardhshëm, duhet të pranohet se “ka mosmarrëveshje dhe të vazhdohet puna për çështje të tjera me interes të përbashkët.” Ai citoi edhe gjyshen e tij, se kur të kesh “fqinjë të lumtur”, je i “lumtur në shtëpi”. Rama po ashtu tha se “Serbia mban lidhje të ngushta me Rusinë dhe Kinën – diçka që Shqipëria nuk do ta ndjekë kurrë – por nevoja për paqe të qëndrueshme është një prioritet i përbashkët që duhet të mbetet në qendër të marrëdhënieve…
Unë personalisht jam shumë dakord me thënien e gjyshes së kryeministrit Rama – “fqinj të lumtur, të lumtur në shtëpi”. Jam dakord edhe shpjegimin e Ramës, se “fqinjët nuk mund t’i zgjedhësh, por gjithmonë duhet të punosh për t’i ruajtur dhe përmirësuar raportet me ata”. Por jam dakord edhe me ate thënien e popullit që “Ujku qimen e ndërron, por zanatin nuk e harron”. Ndaj zoti Rama, raportet fqinjësore mes Kosovës dhe Serbisë mund të përmirësohen vetëm atëherë kur “ujku” të kuptojë se ku është mexha, ku është kufiri. E këtu pikërisht Edi Rama mund të luajë një rol të rëndësishëm, pasi ka komunikim të mirë me Aleksandar Vuçiqin – pra që të japë kontributin e tij për normalizimin e gjendjes, heqjen dorë të Serbisë nga aspiratat për ripushtimin e Kosovës dhe njohjen e shtetit fqinj – Kosovës. Këtë po e kërkojnë edhe vendet perëndimore!
Më pas mund të ndërtojmë raporte të mira fqinjësore me të gjithë fqinjët, edhe pse unë vërtet dyshoj që me këtë fqinj, pra me Vuçiqin në pushtet, mund të ketë raporte të mira mes Kosovës dhe Serbisë!