Një letër drejtuar Asamblesë Parlamentare për anëtarësimin e Kosovës në KiE shpërfaqi përplasjet ndërmjet Qeverisë dhe Presidencës.
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, duket se nuk ishte konsultuar paraprakisht me presidenten Vjosa Osmani për letrën e drejtuar në Asamble. Gërvalla kishte njoftuar se në atë letër është duke përgatitur një draft-statut lidhur me Asociacionin dhe i njëjti do ju dorëzohej Gjykatës Kushtetuese.
Po në atë ditë, Presidenca njoftoi se veprimi i Qeverisë, konkretisht i MPJD, nuk është konsultuar me presidenten Osmani. Kjo çështje u rikthye sërish në temë me deklaratën e kryeparlametarit Glauk Konjufca, i cili tha se kjo ishte çështje teknike dhe s’ishte e qëllimshëm kundër presidentes.
I menjëhershëm ishte edhe reagimi i presidentes Osmani e cila tha se është qesharake të thuash që s’ka pasur komunikim mes Presidencës dhe Qeverisë, kur në kohën moderne ekzistojnë mundësitë e shumta të komunikimit.
Deputeti i VV-së: Në zgjedhjet e radhës Vetëvendosja dhe GUXO do të thyejnë rekordin e votave
Nga mazhoranca po thonë se ‘përplasja’ e Konjufcës dhe Osmanit do t’i kontribuojë demokracisë.
Deputeti i “Lëvizjes Vetëvendosje”, Halil Thaçi i ka quajtur mendime të ndryshme deklaratat e Osmanit e Konjufcës.
“Nuk është përplasje, por janë dy mendime të ndryshme. Unë mendoj se mendimet ndryshe i kontribuojnë edhe vetë demokracisë”.
Deputeti Thaçi është shprehur optimist se në zgjedhjet e radhës Vetëvendosja dhe GUXO do të thyejnë rekord të votave.
“Ne sigurisht që në zgjedhjet e ardhshme do të jemi bashkë, do të garojmë bashkë dhe do të thyejmë rekord bashkë dhe do i arrijmë 60% të votave”, thotë Thaçi.