Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se e mban hapur telefonin, derisa e ka komentuar sërish deklaratën qesharake të kryeparlamentarit Glauk Konjufca rreth pamundësisë së qeverisë për të kontaktuar me shefen e shtetit para dërgimit të letrës në KiE më 17 maj.
Kjo temë e para dy javësh është rikthyer sërish sot nga një prej gazetarëve në konferencën së presidentes Vjosa Osmani në Drenas, ku u takua me kryetarin e Komunës së Drenasit dhe mbajti një fjalim në Kuvendin Komunal.
Pas përfundimit të fjalimit në konferencë, derisa presidentja ishte drejtuar drejt derës, një gazetar pëshpëriti fjalët: “mbaje telefonin hapur”.
Osmani, me një gjysme buzëqeshje derisa i ishte drejtuar derës iu përgjigj gazetarit.
“Telefonin e mbaj hapur gjithmonë, por propozimet e interesit kapital s’bëhen ashtu”, kritikoi presidentja edhe njëherë kryeministrin Kurti për moskoordinim rreth letrës, si dhe Konjufcën arsyetimin për telefonin.
Dy javë më parë, edhe publikisht janë shpërfaqur raportet e krisura mes presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti.
Tensionimi i raporteve mes presidentes dhe kryeministrit e ka zanafillën te letra që kryediplomatja Donika Gërvalla ia nisi Këshillit të Evropës më 17 maj, ditën kur u mblodh Komiteti i Ministrave të KiE-së.
Osmani, nuk ishte konsultuar fare për këtë letër nga qeveritarët.
“Letra e Qeverisë së Kosovës dërguar në KiE, nuk është konsultuar dhe dakorduar me Presidenten Osmani. Presidentja Osmani përkrahë vetëm qëndrime dhe veprime paraprakisht të konsultuara, të koordinuara dhe të dakorduara me institucionin e Presidencës si institucion kushtetues me kompetenca të qarta në fushën e politikës së jashtme dhe si gardian i funksionimit kushtetues të institucioneve”, kishte reaguar Presidenca.
Pastaj, javën e kaluar presidentja e cilësoi “qesharake” një deklaratë të kryeparlamentarit Glauk Konjufca që u përpoq ta arsyetonte me largësinë e vizitës së Osmanit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkakun e mos-koordinimit të Qeverisë me të për letrën dërguar Këshillit të Evropës. /Paparaci.com