
Është përuruar sot në Prishtinë në ditën e Pashkëve, Mitropolia e parë Ortodokse Shqiptare në Kishën Katolike “Shën Antonio i Padovës”, në një ceremoni inaugurimi të drejtuar nga kryepeshkopi i parë i Kosovës, Nikollë Xhufka, raporton KosovaPress.
Xhufka ka thënë se ky do të jetë një moment gëzimi për të ndarë së bashku vlerat e paqes dhe shpresës që karakterizojnë këtë event historik për besimtarët.
Tutje, Xhufka ka shtuar se hapja e Mitropolisë së parë Ortodokse Shqiptare të Kosovës, do të jetë rezultat i vetëdijesimit të komunitetit në Kosovë.
Kisha do të jetë e vendosur në lagjen Ulpiana në Prishtinë. Mitropolia do të qëndrojë e hapur për vizitorë nga ora 10:00 deri në 17:00.
Ndryshe, sot me lutje për paqe e falje është mbajtur mesha për besimtarët katolikë në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë. Famulltari Don Agim Qerkini ka përçuar një mesazh për besimtarët e fesë krishtere, duke thënë se “duhet bërë bartës për paqe në jetë”.
Ndërsa, mbrëmë ipeshkvi i Dioqezës Prishtinë-Prizren Dodë Gjergji ka përçuar mesazhin e paqes dhe harmonisë ndërmjet njerëzve në mbarë botën, në meshën qendrore të mbajtur sonte në Katedralen “Shën Tereza”, me rastin e festës së Pashkëve.