Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Përurohet shërbimi për Fertilizim të Asistuar Mjekësor në QKUK, Kurti thotë se dy herët e para do të jenë falas për çiftet

Sot është bërë përurimi i shërbimit të ri të Fertilizimit të Asistuar Mjekësor në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK.

Kryeministri Albin Kurti para mediave tha se aparatura e re moderne ka vlerën rreth 2 milionë euro, transmeton Telegrafi.

“Pat mundësinë të shoh aparaturën e re moderne, i cili është investimi i fundit këtu, në vlerë 2 milionë euro. Gjysma është prej Ministrisë së Shëndetësisë, e gjysma prej Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës. Me investimet që janë bërë në këtë repart, do të jetë e mundur që dy herët e para që vijnë çiftet këtu do ta kenë falas, ndërsa pas herës se dytë do të paguajnë 670 euro, ndërsa ne e dimë që në privat kushton mbi 3 mijë euro”, potencoi Kurti.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka falënderuar stafin e Klinikës së Gjinekologjisë për punën e shkëlqyer për jetësimin e këtij reparti.

“Shfrytëzoj rastin vetëm t’i falënderoj për punën e shkëlqyer gjithë stafin e Klinikës Gjinekologjike për punën që po e bëjnë”, tha ai.

Ndërsa, drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë dhe Obstetrike, Zef Ndrejaj u shpreh se ofrimi i shërbimit IFV në sektorin publik do të kursej buxhetin e të gjitha çifteve që kanë probleme me fertilizim.

Ai tha se tashmë në këtë repart ka filluar puna dhe po bëhet mbledhja e pacientëve që kanë këso nevojash.

“Është repart i cili ka pasur shumë nevojë popullata jonë në sektorin publik. Jemi prej klinikave në regjion ndoshta fillestare me këtë repart që fillojmë punën. Është repart i cili kursen shumë buxhetin me procedurat, dhe punën që do të bëjë do të kursej buxhetin e popullatës e familjarëve që kanë nevojë për këtë lloj intervenimi. Siç e dimë në klinikat private kjo procedurë shkon deri në 3-4 mijë euro një seanca ndërsa këtu në tërësi shërbimi do të jetë falas.

Do ta kemi një aparaturë më të mirën në rajon, dhe shërbimi do të jetë në vlerat më të larta dhe besoj që suksesi do të jetë i madh. Përpos aparaturës stafin e kemi përgatitur që një kohë, janë bërë trajnimet e duhura dhe puna do të filloj puna mbarë dhe do të korrim sukseset. Presim vitin 2025 që ndoshta edhe bebet e para ose indet e para të kryhen në këtë klinikë nga IVF. Puna vetëm ka filluar, por procedura e IVF, si procedurë i ka ato fazat e veta. Jemi në fazën fillestare ku puna me pacientë vetëm ka filluar. Ka filluar mbledhja e pacientëve që kanë nevojë, klasifikimi i tyre, formimi i listave që shkohet në bazë të procedurave”, u shpreh Ndrejaj.

Ndryshe, çiftet deri tani kanë shpenzuar mijëra euro në klinika private e jashtë vendit gjatë përpjekjeve të tyre për t’u bërë prindër./Telegrafi/