Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Pesë aktakuza për krime lufte gjatë 2023-ës, nuk po ndiqen penalisht përgjegjësit kryesorë

 
   

Në aktakuzat e ngritura për krime lufte, nuk po ndiqen penalisht përgjegjësit kryesorë që kanë dhënë urdhra. Kështu vlerëson Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, i cili shton se në shumicën e rasteve, së fundmi, janë të akuzuar nga një person e jo grupe. Për më tepër, konsiderohet se nuk ka procese gjyqësore të mjaftueshme për krime lufte, për çka kërkohet se duhet të ketë punë më intensive. Edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu deklaron se është e rëndësishme që të ndiqet i gjithë zinxhiri komandues për krimet që Serbia ka kryer në Kosovë. Ajo kritikon Këshillin Prokurorial të Kosovës, që nuk ka arritur të shtojë numrin e prokurorëve specialë, ani pse është bërë një gjë e tillë nga MD.

Prokurorja speciale, Drita Hajdari thotë për KosovaPress se gjatë këtij viti kanë ngritur pesë aktakuza kundër pesë personave.

Drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare, Bekim Blakaj shprehet se nuk janë të kënaqur me ritmin e ndjekjes penale të përgjegjësve për krimet e luftës të kryera në Kosovë.

“Në raportet tona vjetore e përmendim zakonisht se nuk ka mjaftueshëm procese gjyqësore për krime lufte. Numri i viktimave, numri i krimeve të kryera gjatë luftës është jashtëzakonisht i madh, ndërsa nga ana tjetër kemi një numër shumë të limituar të lëndëve apo aktakuzave të reja. Këtë vit ka pak më shumë aktakuza, sepse kanë filluar edhe aktakuzat në mungesë të ngrihen, por nuk mund të jemi fare të kënaqur me tempon e ndjekjes penale të atyre që janë përgjegjës për krime lufte të kryera në Kosovë”, thotë Blakaj për KosovaPress.

Në aktakuza janë të përfshirë, siç thotë Blakaj, më shumë individë e jo grupe që kanë kryer krime.

“Viteve të fundit kemi vërejtur që në shumicën e aktakuzave për krime lufte janë të akuzuar nga një person, jo si grupe. Ndërsa, krimet zakonisht janë kryer në grup, një grup më i madh i kryerësve ka kryer krime masive. Ndërsa, në aktakuza po i shohim individë, jo grupe. Dhe ata shumicën e rasteve janë jo përgjegjësit kryesorë që kanë kryer krime. Po janë pjesëmarrës dhe duhet të ndiqen penalisht dhe të gjykohen, por nuk po targetohen ata, të cilët janë më përgjegjës për krimet e kryera. Nuk janë personat që kanë organizuar apo kanë dhënë urdhra për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, por disa, të cilët e kanë ndihmuar krimin e kryer, por nuk janë përgjegjësit kryesorë”, shton ai.

Edhe deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj shprehet se ka numër të madh të masakrave, për të cilat dihet se kush i ka kryer.

“Pavarësisht pozicionit, a është një pozicion i ultë apo pozicion i lartë, të gjithë ata që kanë kryer krime duhet të dënohen dhe duhet ta marrin dënimin e merituar. Sepse, ata kanë bërë krime, kanë vrarë, kanë masakruar, kanë dhunuar dhe me çdo rregull, me çdo ligj edhe të botës edhe me ligjet e luftës ata duhet të dënohen. Unë mendoj që ka fakte të shumta, njerëzit nuk duhet të hezitojnë. Të gjitha kategoritë, ata që kanë përjetuar masakrat, ata që i kanë humbur familjarët, ata që kanë parë diçka rreth këtyre masakrave dhe rreth këtyre vrasjeve duhet t’i denoncojnë dhe prokuroria të merret me këto raste”, thotë ajo.

E ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu thekson se është e rëndësishme që të ndiqet zinxhiri komandues, meqë kryerësit e veprave dihen me emër dhe mbiemër.

“Vlerësoj që është shumë e rëndësishme që të ndiqet zinxhiri komandues. Krimet në Kosovë i ka kryer Serbia, si shtet. Dhe dihen emrat dhe mbiemrat e përveçëm se kush kanë qenë në këto pozicione dhe duhet të adresohen. Një prej masakrave që po ashtu është bërë në Kosovës është Masakra e Dubravës. Shumë lehtësisht dihen emrat dhe mbiemrat e personave përgjegjës. Duhet të ndiqet zinxhiri komandues sepse është më e fuqishme dhe krahas zingjirit komandues të shqiptohen dënimet”, deklaron Haxhiu për KosovaPress.

Ndjekja penale e kryerësve të krimeve në Kosovë, siç potencon Bekim Blakaj, ndryshon narracionin se çfarë në të vërtetë ka ndodhur gjatë luftës.

“Është me rëndësi që të hetohen të gjithë personat ndaj të cilëve ka prova, se mund të jenë të përfshirë në kryerjen e krimeve të luftës. Mendoj që këto hetime do të duhej të ishin më intensive, të kishte më shumë aktakuza e sidomos të ketë aktakuza për krimet masive që kanë ndodhur gjatë luftës dhe të ketë gjykime apo ndjekja penale të strukturave që kanë kryer krimet. Pra, jo vetëm individët, por të gjithë ata që kanë bashkëpunuar apo që kanë qenë ndërmarrje e përbashkët kriminale për kryerjen e krimeve në Kosovë. Sepse duke i ndjekur një nga një dhe jo përgjegjësit kryesorë, atëherë kam frikë se po ndryshohet pak edhe për gjeneratat e ardhshme narracioni që del prej ndjekjeve penale apo prej gjykimeve, mund ta ndryshojë pak fotografinë se çfarë ka ndodhur gjatë luftës në Kosovë”, përfundon ai.

Në Kosovë, përgjegjësinë për hetimin e krimeve të luftës deri në vitin 2018 e ka pasur UNMIK, e pas pavarësisë, edhe misioni i EULEX-it. Tashmë kompetencat i kanë kaluar Prokurorisë Speciale. Gjatë luftës së fundit, janë vrarë e masakruar mbi 13 mijë civilë, janë dhunuar seksualisht rreth 20 mijë gra e burra. Ndërkaq, ende nuk dihet fati i mbi 1600 personave.