Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Pesëshja e LDK-së i kërkoi Clintonit të mos e njoh UÇK-në”, Surroi reagon ndaj Xhavit Halitit dhe Baton Haxhiut

 
   

Publicisti Veton Surroi ka reaguar pasi gazetari Baton Haxhiu ia përmendi emrin, kur deputeti i PDK’së, Xhavit Haliti, deklaroi mbrëmë se një delegacion i Lidhjes Demokratike të Kosovës, kishte shkuar në Uashington duke i kërkuar presidentit amerikan Bill Clinton që mos ta njohin UÇK-në.

Haxhiu tha se ata që e kanë bërë këtë kërkesë kanë qenë “Ibrahim Rugova, Pajazit Nushi, Bujar Bukushi, Veton Surroi, Fehmi Agani”.

Surroi ka mohuar të jetë bërë një kërkesë e tillë nga delegacioni i Kosovës, duke thënë se kjo akuzë nuk qëndron. Madje, ka thënë se Rugova, Agani dhe Bukoshi kanë zhvilluar përpjekje që të unifikohet përfaqësimi i Kosovës, me përfshirjen e UÇK-së brenda këtij përfaqësimi.

Postimi i plotë:

Krejtësisht të pavërteta!

Në takim me presidentin Clinton, delegacioni i Kosovës nuk ka kërkuar mosnjohjen e UÇK-së. Këtë nuk e kanë bërë dr.Ibrahim Rugova, as dr.Fehmi Agani, as dr,Bujar Bukoshi e as unë. Dr.Pajazit Nushi, i përmendur si pjesëmarrës ka qenë në Prishtinë.

Qëndrimi im edhe privat , edhe publik ka qenë nevoja e përfshirjes së UÇK në proces negociator. Disa herë kam deklaruar publikisht se pa pjesëmarrjen e UÇK-së në ekipin negociator nuk është e mundshme marrëveshja për Kosovën. Dr.Rugova, dr,Agani dhe dr.Bukoshi kanë zhvilluar përpjekje që të unifikohet përfaqësimi i Kosovës, me përfshirjen e UÇK-së brenda këtij përfaqësimi.

Akuza ndaj delegacionit të Kosovës nuk qëndron. Sqarimin po e bëj për hir të historisë, e cila duhet të shkruhet nga burimi e jo nga spekulimi i përnatshëm debatues. E bëj edhe për dy anëtarët e vdekur që kanë mundur të japin shpjegime në të gjallë, por një akuzë e këtillë po ngrihet me dhjetëvjetësh pas vdekjes së tyre.